Në vitet 2011-2012 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është bërë protagonist i një serie gafash të rënda diplomatike. Gazeta Shqiptare shkruan sot se për këto gafa është fajësuar dhe liruar nga detyra Dritan Selo, drejtori i përgjithshëm, i Shërbimit të Marrëdhënieve me Jashtë i këtij institucioni.
Rasti më i rëndë deklarohet të ketë ndodhur gjatë një vizite të kryetares së Kuvendit në Greqi, ku Shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë nuk kishte raportuar dhe informuar që raportet me Parlamentin grek ishin bllokuar.
Në vitin 2012, gjatë një pritjeje për 100- vjetorin e Pavarësisë, ambasadori i Bashkimit Evropian dhe ai i Hungarisë mbetën pa u shoqëruar në vendin e caktuar, duke krijuar një situatë tepër të rëndë, e cila u zgjidh vetëm pasi Topalli vendosi t’i shoqëronte personalisht nëpër vende.
Gjithashtu, i rëndë ishte edhe rasti i letrës zyrtare që duhej t’i dërgohej kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Detit të Zi (PABSEC), e cila do zhvillohej në Tiranë nga data 21 deri 23 nëntor 2011.
Incidentet e kaluara pa zhurmë nga ana e Kuvendit dokumentohen falë procesverbalit të mbajtur nga Komisioni i Shërbimit Civil, ku ish-drejtori i Marrëdhënieve me jashtë, Dritan Selo, e dërgoi çështjen për të prapësuar vendimin për pushimin e tij nga puna. Në procesverbalin përfundimtar specifikohet se “duke mos qenë dakord me këtë akt administrativ, ankuesi i është drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil dhe kërkon shfuqizimin e këtij akti”.
Teksa shqyrton pretendimet e Selos, Komisioni i referohet shkresës së “Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, në rastin konkret eprorit direkt, ankuesi është njoftuar për fillimin e ecurisë disiplinore, për shkaqet e fillimit të kësaj ecurie disiplinore”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar në dosje rezulton se shkak për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj ankuesit janë bërë një sërë shkeljesh të rënda, të cilat eprori, Sekretari i Përgjithshëm të Kuvendit, i ka sistemuar në formën e disa pikave.
“Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me cilësinë e eprorit direkt në këtë rast, ka vendosur që ndaj ankuesit të merret masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, – shkruan Sekretari i Kuvendit. GSH