Kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, tha se deri më tani janë regjistruar për të hyrë në provimet me zgjedhje mbi 34 mijë maturantë që mbarojnë studimet e shkollës së mesme gjatë këtij viti
Pavarësisht parashikimeve të bëra, plotësimi i formularit A1 nga maturantët që do të konkurrojnë për shkollat e larta publike, shtyhet edhe një javë tjetër. Shkak për këtë janë bërë problemet në shumë shkolla të rretheve ku qindra maturantë nuk kanë mundur ende të bëjnë plotësimin e këtij formulari, teksa shumë të tjerë duhet të bëjnë korrigjime për gabimet e bëra gjatë plotësimit në ditët e shkuara. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit deklaruan dje se moti i keq ka vështirësuar lidhjen e shkollave të mesme të rretheve e komunave të ndryshme me internetin. Duke iu referuar të dhënave, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, tha se deri më tani janë regjistruar për të hyrë në provimet me zgjedhje mbi 34 mijë maturantë që mbarojnë studimet e shkollës së mesme gjatë këtij viti.
Ndërkohë që janë me mijëra të tjerë që do t’i shtohen kësaj liste pas plotësimit të këtij formulari, i cili do të vijojë të qëndrojë i hapur përgjatë gjithë javës në vijim.
Pjesë e garës për pranimet në universitete gjatë këtij viti do të jenë edhe 5 mijë kandidatë të tjerë që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vitet e mëparshme, por për arsye të ndryshme nuk janë bërë pjesë e listës së pranimeve në universitetet publike gjatë vitit të shkuar. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre maturantëve do të rihyjnë në garë për të shlyer detyrimet e provimeve të maturës, në të cilat rezultuan mbetës gjatë vitit të shkuar.
Këta kandidatë do të konkurrojnë nëpërmjet regjistrimit në formularin A1Z, i cili ndryshe nga maturat e shkuara për herë të parë do të plotësohet online dhe i ndarë nga aplikimet e maturantëve të 2013-s A1. Plotësimi i këtij formulari zyrtarisht do të nisë në datën 15 prill.
“Plotësimi i formularit A1Z do të nisë në datën 15 dhe numri i tyre në krahasim me aplikantët e formularit A1 është më i ulët, gati 5-6 herë. Maturantët që plotësojnë formularin A1Z janë maturantët që nuk janë të ulur në bankat e shkollës së vitit akademik, por që vijnë nga vitet e kaluara, ose maturantët që vijnë nga jashtë shtetit”, përfundon Harizaj.
Një tjetër risi që shoqëron provimet e maturës gjatë këtij viti është edhe forcimi i rregullave të mbikëqyrjes, në mënyrë që të mos lejohet rrjedhja e informacioneve që favorizojnë kopjimet. Për këtë në çdo ambient provimi do të ketë aparatura që do të bllokojnë sinjalet e celularëve, teksa do të zbatohen kritere më të rrepta në përzgjedhjen e mësuesve që do të angazhohen në procesin e mbikëqyrjes.