Dita e parë e kësaj jave, ashtu si dhe ajo që kaloi, do të sjellë një tjetër prezantim te Flamurtari. Njëri nga dy përforcimet e fundit të Flamurtarit, sulmuesi Gilberto, ka mbërritur dje në mbrëmje në Vlorë dhe sot do të bëjë prezantimin me fanellën e skuadrës së tij të re, duke nënshkruar edhe kontratën përkatëse. për dy sezonet e ardhshme me Flamurtarin. Ish-lojtari i Tiranës do të dalë sot në stërvitje, duke iu bashkuar grupit të drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka. Po ashtu, me grupin pritet të bashkohet dhe një tjetër blerje, ajo e gjeorgjianit Gelazhvili, por ende nuk është shumë e qartë, nëse ai do të jetë sot në Vlorë apo në ditët e ardhshme. Dy sulmuesit mendohet e janë dy përforcime të goditura për Flamurtarin e sezonit të ri, pasi kanë jo pak përvojë. Për të dy lojtarët nuk dihet, nëse mund të aktivizohen në ndeshjen e Superkupës me Skënderbeun, pasi gjithçka varet nga gjendja e tyre aktuale dhe do të jetë trajneri Gjoka ai që do të vendosë gjatë javës. Ndërkohë, vlonjatët janë kthyer në qytet dje në orët e para mëngjesit, pas miqësores me Kërkyrën në Korfuz. Sigurisht që e diela ka qenë një ditë pushimi për skuadrën, ndërsa sot nisin përgatitjet anti-Skënderbe. Shqetësimi i vetëm duket ai i mbrojtësit Polizoi Arbëri, i cili është i dëmtuar dhe nuk u aktivizua në miqësoren e e së shtunës.