Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për vitet e tij në Traktatin e Varshavës
Halim Ramohito: Për të mbajtur me çdo kusht Bazën e Vlorës, rusët solën përforcime 2000 ushtarë të armatosur e teknikë luftarake!
(Vijon nga numri i kaluar)
Për të mbajtur Pashalimanin me çdo kusht, sovjetikët sjellin 2000 ushtarë të armatosur në këtë bazë, ndërkohë, tentojnë që me provokacione e me forcë, të marrin nëndetëset… Por hasin në qëndresën vetëmohuese të palës shqiptare. Ndërkohë, një urdhër luftarak i lëshuar nga Tirana, ngre në alarm luftarak dhe 6000 rezervistë të Qarkut të Vlorës. Këtë situatë e sjell në rrëfimin e tij në vazhdim, gjeneral Halim Ramohito…
Cilat ishin rezultatet e bisedimeve me delegacionin e Traktatit të Varshavës në Tiranë?
-Edhe komisioni dypalësh që u formua për situatën, Pashalimanin e incidentet, pas bisedimeve disa ditore në Tiranë, për shkak të qëndrimeve të kundërta që mbronin palët, nuk arritën asnjë rezultat. Kështu, situata nga ora në orë po përkeqësohej…
Çfarë mund të veçoni nga ajo situatë?
-Kujtimet e mia më rikthejnë tek gjendja dramatike e atyre ditëve e netëve, sidomos në muajt mars-qershor në Bazën Luftarake Detare të Pashalimanit dhe përgjithësisht në ujërat tona detare të Vlorës dhe Otrantos. Kjo gjendje mund të na çonte edhe në një konflikt të hapur me superfuqinë e asaj kohe, me shtetin sovjetik. Komandanti i Flotës Ushtarake të Detit të Zi, Admirali Kasatanov, në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, në 15 maj, me një vendim të hapur provokativ, nxjerr të gjitha anijet në Radë nga Baza Luftarake e Pashalimanit në gatishmëri për lundrim. Nikita Hrushovi, Udhëheqësi kryesor i shtetit sovjetik dhe komandant i Forcave të Armatosura të vendit të tij, në atë periudhë, në kujtimet e tij, e parashikon këtë rrezik kur thotë se: ”Me mjetet tona që kishim në Bazën e Pashalimanit ne do të ndërhynim, në rast se autoritetet shqiptare do të na mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake do të kërcënonin ata… Ky episod shënoi edhe prishjen tonë përfundimtare me Shqipërinë”.
Si ushtarak, si e vlerësuat këtë veprim të sovjetikëve?
-Duke bërë këtë vlerësim me plot rreziqe, Hrushovi, sigurisht mbështetej edhe në eksperiencën e konflikteve me amerikanët lidhur me vendosjen e bazës së raketave të tyre në Kubë. Sovjetikët, duke filluar nga muaji prill i vitit 1961, kishin dërguar mjete shtesë me një efektiv deri në 2000 veta për të forcuar trupat dhe mjetet e tyre ekzistuese në Pashaliman. Ato i komandonte ish-komandanti i Bazës së Nëndetëseve, Kundëradmiralët Jogorov dhe Kulit. Siç duket, ky i fundit i sjellë në bazë nga sovjetikët enkas pasi ishte njohës i mirë i situatës në këtë bazë, pasi kishte shërbyer edhe më parë aty. Tashmë, situata nga çasti në çast mund të kalonte në konflikt me armë…
Si reflektohej në Pashaliman e më gjerë kjo situatë?
-Baza Luftarake Detare e Pashalimanit, zyrtarisht nga Sovjetikët konsiderohej si njësi(Otraj) e Flotës Luftarake Detare Sovjetike të Detit të Zi (Sevastopul). Në një situatë të tillë dramatike kur duhej të vendosej pronësia e nëndetëseve dhe anijeve të tjera luftarake ndihmëse, konfliktet me sovjetikët u shtrinë deri në ndërrimin e rojeve të përditshme nga marinarët e dy palëve në të gjitha objektet e Pashalimanit. Në këtë situatë, siç thashë edhe më sipër, Komanda sovjetike i përforcoi efektivat e veta në Shqipëri me anije të tjera luftarake e ndihmëse dhe siç na konfirmonin ata, kishin urdhër që do të merrnin në ikje jo vetëm nëndetëset e anijet luftarake, por do të çmontonin gjithçka, deri edhe vidat. Në funksion të qëllimit, rusët kishin futur në lojë dhe KGB-në…
Cili ishte roli i Shërbimit të Fshehtë Sovjetik (KGB-së) në këtë situatë?
-Në ato ditë, kur në bazë vihej re një veprimtari intensive jo vetëm propagandistike, por dhe agjenturore nga ana e rusëve, e drejtuar nga i sapoardhuri, Kundëradmirali Zagrebin (“zagari” -i thoshin atij marinarët tanë), të cilin, siç provohej në ato që po ndodhnin, ishte dërguar nga rusët si specialist i këtyre punëve të pista. Në ditarin tim, por dhe në kujtesë kam shumë fakte e dëshmi të incidenteve të ndodhura mes marinarëve tanë e rusëve(në të gjitha hallkat komanduese-drejtuese në Bazë)…
Kush dhe si nisnin incidentet në Bazën Ushtarake të Pashalimanit?
-Incidentet ishin të përditshme, e në të gjitha rastet, iniciues të incidenteve, ishin rusët, me porosi e drejtim të eprorëve të tyre, me synim realizimin e qëllimit që kishin në këtë bazë strategjike. Qëllimi i tyre, ishte i qartë; të na detyronin ne që të ishim të parët që të përdornim forcën për të mbrojtur anijet, duke u dhënë kështu atyre mundësi që të përdornin forcën. Pala shqiptare, kishte informacion të saktë dhe kishte dijeni se çdo gjë që ndodhte në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, ndiqej hap pas hapi jo vetëm nga drejtuesit kryesorë të ushtrisë ruse në Moskë, por dhe nga vetë Hrushovi.
Po ushtarakët shqiptarë, si reagonin në këtë situatë?
-Njëkohësisht, ne ushtarakët shqiptarë dhe udhëheqja e vendit e kishim të qartë edhe faktin tjetër se në brigjet tona, sidomos në Vlorë, po të vazhdonte kjo mosmarrëveshje, do të kishte luftë dhe ne u detyruam të bënim disa lëshime duke mos insistuar më në pronësinë për të gjitha nëndetëset dhe anijet. Vendosëm të mbanim 4 nëndetëset dhe anijet bazë të tyre që drejtoheshin praktikisht nga ekuipazhet tona. Ndoshta, për lexuesin, një pasqyrë të saktë të incidenteve, prapavijës e qëllimit të tyre atë kohë në bazën Detare Luftarake të Pashalimanit, e jep dhe filmi “Ballë për Ballë”…
Pohuat se për këtë situatë u dha alarm luftarak për ushtrinë e rezervistët e Qarkut të Vlorës?
-Jo vetëm ushtarakët, por edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare e deri në udhëheqjen e lartë, situata e rënduar dhe konflikti i hapur me rusët jo vetëm në Bazën e Vlorës, por dhe në ngushticën e Otrantos e gjithë Qarkun e Vlorës, ishin impenjim për zgjidhjen më të mirë, me synim evitimin e një konflikti të armatosur.
Trupat tona ushtarake dhe i gjithë populli, veçanërisht në Vlorë, me urdhër të veçantë kaluan në një gjendje të lartë mobilizimi e gatishmërie, për të përballuar me forca e mjete një situatë lufte.
Sa efektivë rezervistë u përfshinë në këtë situatë luftarake?
-Efektivat prej gati 6000 vetë rezervistë të Brigadës së Mbrojtjes Bregdetare të Vlorës, filluan stërvitjen demonstruese në Orikum në rajonin e vargmalit të Karaburunit, në atë të Bestrovës, të Babicës e Zvërnecit. Në ishullin e Sazanit, atë kohë banonin gjithashtu edhe 70 familje të ushtarakëve tanë. Atje kishte dhe një shkollë fillore si dhe dyqane shërbimi për popullatën. Gjithë banorët e ishullit, deri edhe fëmijët, të gjithë të armatosur, dolën dhe u përfshinë në këtë stërvitje demonstrative, duke zënë pozicionet e parapërgatitura qoftë dhe eventualisht për një rezistencë të qëndrueshme. Po pati dhe masa të tjera…
Cilat ishin këto masa?
-Thashë, u morën dhe masa të tjera për të penguar çdo lëvizje për lundrim nga gjiri, jo vetëm të nëndetëseve por dhe anijeve të tjera luftarake në këtë gji. Me mjete të ndryshme si rrjeta metalike deri dhe me anije u mbyllën ngushticat e Mexokanalit dhe të Protonovës. U dyfishua gjithashtu vrojtimi për të zbuluar edhe ndonjë lëvizje eventuale sekrete e ndonjë anije sovjetike në lundrim apo të avionëve në ngushticën e Otrantos. Në Vlorë, në përputhje me situatën praglufte, u dislokuan(vendosën) edhe njësi të tjera shtesë të artilerisë e njësi tankiste.Pas të gjitha këtyre masave dhe demonstrimit të hapur të forcës, nga të dy palët u gjet më në fund kompromisi që evitoi më të keqen, luftën. Dhe ky kompromis u arrit nga të dy palët.
Kur dhe si u arrit kompromisi?
-Në datë 23 qershor 1961, Kundër Admirali Hito Çako, Komandant i Bazës Luftarake Detare të Pashalimanit dhe Ziqiri Merjo, komisar i saj, me kërkesën e tyre u pritën nga pala komanda sovjetike në anijen bazë të nëndetëseve me emrin “Kotelnikov”. Në këtë takim, ku Çako e Mero po futeshin në komandën sovjetike, Çako i ka thënë Kundër Admiralit Abdi Mati në veçmas: ”Abdi, Çdo gjë mund të ndodhë paskëtaj edhe me ne, prandaj ti Abdi, çdo urdhër që mund të të japim ne nga anijet sovjetike, mos e zbato pa u takuar apo pa u kuptuar sy më sy!”.
Çfarë doli nga takimi me sovjetikët?
-Ata u pritën nga Komandanti i Flotës sovjetike detare të Detit të Zi, Admirali Kasatanov, të cilit ju komunikua vendimi i Qeverisë Shqiptare se ajo bie dakord që të kalojnë si pronë e shtetit shqiptar vetëm 4 nëndetëset, kurse 8 të tjerat vetëm me ekuipazhe sovjetike mund t’i merrnin. Gjithashtu, të kalonte si pronë e jona edhe anija bazë lundruese, 4 anije luftarake mbiujëse dhe 22 të tjera ndihmuese. Kurse sovjetikët do të lejoheshin të largoheshin nga Pashalimani me 8 nëndetëset dhe me anijet e tjera luftarake e ndihmuese që drejtoheshin nga efektivat e tyre. Admiralit rus ju komunikua gjithashtu se pavarësisht nga qëndrimet armiqësore dhe mosmarrëveshjet tona me qeverinë sovjetike, populli dhe ushtria shqiptare, sipas traditave të mikpritjes, ishte gati t’i furnizonte ata me ushqime, ujë dhe gjithçka tjetër të nevojshme e gjithçka të mundshme për lundrimin, t’u bënte nderimet ushtarake sipas normave ndërkombëtare nga Baza dhe i gjithë territor shqiptar. Për t’u përgatitur për lundrim ju dha atyre 2 ditë kohë.
Kur dhe si ndodhi ikja e sovjetikëve?
-Anijet sovjetike filluan përgatitjet për të dalë në det të hapur të Adriatikut në datë 25 qershor 1961, ora 16.00, për të vazhduar më pas në itinerarin nëpër Detin Mesdhe-Ngushticën e Gjibraltarit—Kanalin La Mansh-Detin Balltik, për të mbërritur në bazën e tyre detare në Leningrad. Pas incidentit e situatës së bujshme deri në ikjen pa dëshirë të tyre nga Shqipëria, ky udhëtim ngjalli interes të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe u ndoq hap pas hapi nga mediat e shumë vendeve të botës. (Vijon nesër)
SOM 1
“Komandanti i Flotës Ushtarake të Detit të Zi, Admirali Kasatanov, në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, në 15 maj, me një vendim të hapur provokativ, nxjerr të gjitha anijet në Radë nga Baza Luftarake e Pashalimanit në gatishmëri për lundrim. Nikita Hrushovi, Udhëheqësi kryesor i shtetit sovjetik dhe komandant i Forcave të Armatosura të vendit të tij, në atë periudhë, në kujtimet e tij, e parashikon këtë rrezik kur thotë se: ’Me mjetet tona që kishim në Bazën e Pashalimanit ne do të ndërhynim, në rast se autoritetet shqiptare do të na mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake do të kërcënonin ata… Ky episod shënoi edhe prishjen tonë përfundimtare me Shqipërinë”.
SOM 2
“6000 vetë rezervistë të Brigadës së Mbrojtjes Bregdetare të Vlorës, filluan stërvitjen demonstruese në Orikum në rajonin e vargmalit të Karaburunit, në atë të Bestrovës, të Babicës e Zvërnecit. Në ishullin e Sazanit, atë kohë banonin gjithashtu edhe 70 familje të ushtarakëve tanë. Atje kishte një shkollë fillore, si dhe dyqane shërbimi për popullatën. Gjithë banorët e ishullit, deri edhe fëmijët, të gjithë të armatosur, dolën dhe u ingranuan në këtë stërvitje demonstrative. Me mjete të ndryshme si rrjeta metalike deri dhe me anije u mbyllën ngushticat e Mexokanalit dhe të Protonovës. Në Vlorë, në përputhje me situatën prag-lufte, u dislokuan (vendosën) edhe njësi të tjera shtesë të artilerisë e njësi tankiste“
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e gjeneral Halim Ramohitos: Biseda me Mehmet Shehun pas nisjes(largimit) të rusëve nga Pashalimani dhe çfarë ju raportua kryeministrit për këtë situatë.
-Si u zgjidh incidenti mes rusëve dhe 60 marinarëve shqiptarë që ishin me dy anije për riparim në portin Pot të Kaspikut. Ardhja e tyre në Shqipëri.
-Kontaktet dhe miqësitë e gjeneral Halim Ramohitos me kolegët rus gjatë shkollimit, përfaqësimit në Traktatin e Varshavës dhe në funksione të tjera.
FAQE 2
Arkivat sekrete ruse për përplasjen në
Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit
Dekada më vonë, e vërteta e urdhrave dhe vendimeve në Komandën Ushtarake të Traktatit të Varshavës dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, mësohet dhe nga arkivat sekrete. “Situata në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, për shkak të vendosmërisë së udhëheqjes së ushtarakëve shqiptarë, po shkonte drejt konfliktit të armatosur. Në këto kushte, u nënshkrua një marrëveshje mes palëve. Nga 12 nëndetëse, palës shqiptare iu lanë 4, ndërsa të tjerat u morën nga ne. Njëkohësisht, shqiptarëve u mbetën dhe baza e tyre lundruese Nemcinov (Tomorri), 10 anije luftarake mbiujëse(katër silurues, dy gjuajtës nëndetësesh…), si dhe 22 anije të tjera ndihmëse. Nisja nga Baza e Vlorës për në det të hapur u bë në orën 16:00 të datës 25 qershor të vitit 1961. (Burimi: AQSH. Arkivi origjinal Rusisht. Dosja nr.4, viti 1961)
Merreni me mend se çrrezik ka perballuar Shqiperia dhe udheheqja e asaj kohe ! Nuk pati frik shqiptari ti tregoj dhembet superfuqise se kohes. Sot Saliu pa pike frike ofron det per shitje Greqise. Bejeni krahasimin bejeni. Enver Hoxha vetem per kete akt meriton respekt dhe vetem respekt.
ENVER HOXHA ISHTE BURRE ME RR TE FORTE ,jo kurve si salehu ,nanua ,meta,