Një vit më parë, kur erdhi në Tiranë gjeti këtu diell dhe shoqëri të mirë. Në zonën e “Bërrylit”në kryeqytet, kemi takuar një djalë me kombësi gjermane që ka të vizatuar në kurriz një tatuazh sa vetë shqiponja dy krenare në flamurin shqiptar. Madje ka edhe emrin… Gjin. Domethënë ka pseudonimin, se emrin e vërtetë e ka Oliver Nalbah. Pasioni për sportin e Kikboxit e ka njohur atë herët me vëllezërit Keta, të cilët njihen për ushtrimin e këtij sporti në Gjermani. Njohja me ta e ka bërë që ta dojë shumë Shqipërinë. Në ardhjen e parë në vendin tonë, në vitin 2007, ka ndjerë që këtë ajër dëshiron të marrë. Pas largimit, ka menduar që ky është vendi ku do të donte të jetonte. Dhe kështu ka bërë. Para një viti ai është vendosur në Shqipëri. Gjatë bisedës që bëmë me të mësuam se do të largohej për disa kohë në vendin e tij. Diçka kuptuam. Kishte gjetur dashurinë e jetës. Por, premton se do të vijë serish. Ai punon trajner në një palestër në kryeqytet ku stërvit të gjitha ata që duan të merren me sportin e Kikboksit. Ne e takuam Gjinin në ambientet e punës, përpara se ai të nisej për në Gjermani. Ishte e vështirë t’i rrëmbenim një gjermani disa minuta kohë nga puna e tij, por në fund ia dolëm. Na tregoi se në këtë vend i pëlqen mentaliteti, i pëlqen fakti që ka shumë diell dhe që njerëzit i marrin gjërat lehtë.
Një gjerman që i thërrasin Gjin, e çuditshme, si është historia e mbajtjes së këtij pseudonimi?
Këtë emër e kam marrë nga Ismail Keta (kampioni i botës në Kikboks). Ai ma ka vendosur i pari gjatë një ndeshje. Vendosja e pseudonimit është traditë e formuar tashmë ku çdo luftëtari i jepet një i tillë. Më kujtohet që kur mora këtë emër mora pjesë në turneun tim të parë, i cili quhet turneu i tetë burrave. Aty, ndeshja ime më e fortë ishte kundër një turku. Nuk kisha shumë eksperiencë në atë kohë dhe pa shumë teknikë. Me inat, me guxim u ndesha me të dhe më tepër se Kikbox u duk si beteja e Skënderbeut me Turqit. Aty Ismaili më tha: “Oliver, t’i ndeshesh si Gjini”. Kush është Gjini e pyeta unë, për të ma ilustruar me tregoi filmin e Skënderbeut. Unë që atëherë vendosa të mbaj këtë emër.
Sa kohë keni që keni ardhur në Shqipëri?
Që nga shtatori i vitit të kaluar që jam vendosur në Shqipëri, tani do largohem për disa ditë. Nuk ishte kjo hera e parë e imja në këtë vend. Në 2007 kam qenë për herë të parë në këtu. Kur erdha u ndjeva si në shtëpi, u ndjeva rehat. Që atëherë thash; duhet të vijë patjetër këtu për të jetuar. Që nga natyrë ky është një vend shumë i bukur. Ka shumë diell. Kur vij këtu, kaloj në Prishtinë. Që në Kosovë kur unë zbres, e ndjej që jam në Shqipëri. Më magjeps e gjithë rruga që bëjë nga Kosova në Shqipëri. Mua më pëlqen edhe të marr frymë këtu, ajri.
Pse gjithë kjo dashuri për këtë vend?
Është e njëjta arsye pse unë kam bërë një shqiponjë tatuazh në kurriz edhe pse tashmë e kam emrin Gjin. Mua më pëlqen mentaliteti shqiptar, karakteri i juaj. Për mua familja e Ismailit është familja ime. Shumë zakone dhe tradita shqiptare i kam parë, më kanë pëlqyer dhe vazhdoj t’i ndjek; burrëria, respekti, besnikëria etj. Kam njohur edhe shqiptarë të tjerë më parë dhe nuk kam pasur ndonjë përshtypje të keqe për shqiptarët. Edhe pse jam lindur dhe rritur në Gjermani jam shoqëruar gjithmonë më të huaj. Mes të huajve që kam njohur, më kanë pëlqyer shqiptarët më së tepërmi sepse janë shumë këmbëngulës, kanë shumë vetëbesim, janë patriot. E duan vendin e tyre dhe atë që e thonë e mbajnë.
Kikboksi është profesioni juaj?
Po, është jeta ime. Duhet të dini që edhe në vendin tim ka zona, ku njerëzit nuk jetojnë me aq rregull sa njihet Gjermania. Ka edhe lagje me probleme. Aty, mes të rinjve ka pasur dhunë, ka pasur probleme. Unë jam rritur në një lagje të tillë. Jam përballur me shumë nga këto halle lë të themi dhe kur isha i vogël, duke qenë se jam rritur jetim, e ndieja veten të sulmuar dhe bëhesha agresiv. Ndërsa kur fillova të merresha me këtë lloj sporti, unë gjeta qetësinë. U disiplinova dhe gjeta vetëbesimin që unë mos të reagoja më. Nëse dikush më shtynte, unë isha i qetë dhe nëse nuk më thoshte ai më fal, i thosha unë atij.
Sporti të frenon?
Ky është sporti që të bën njeri. Nëse je agresiv, je i dhunshëm, nëse je pa rregulla, ky të bën me rregulla. Të forcon karakterin dhe të jep vetëbesim: Ti je elefanti. Të vjen një mi përpara dhe të fryhet. Çfarë bën? Qesh normalisht.
Dita juaj këtu?
Çohem në 7.00 të mëngjesit. Ndjek një program ushqimor. Bëj stërvitjen time në mëngjes. Ha disa herë gjatë ditës. Në orën 10.00 jam i disponueshëm për njerëzit; me këshilla, me stërvitje provë, me plane stërvitore të reja. Gjithmonë kur dielli shndrin, që gjithmonë këtu ndodh, unë dal jashtë e shijoj kohën, duke pirë kafe dhe takoj shumë shokë e miq që më respektojnë. Pasi pushoj pak kthehem sërish në punë në orën 17.00 pasi kam orarin e stërvitjes private. Shkruaj plane stërvitore, plane mësimore.
Çfarë konsumon në Shqipëri?
Në Shqipëri kam më pak probleme me stomakun se sa në Gjermani. Mua këtu më duken gjërat më bio. Kur këtu thuhet është bio, atëherë është, atje nuk është.
Mësuam se ajo që u ka bërë më shumë të njohur këtu, përveç mësimeve që jepni në palestër është edhe tatuazhi që mbani në shpatull. Që është një shqiponjë. Pse?
Unë doja gjithmonë të bëja një tatu. Është pak edhe tradita e luftëtarëve. Nuk doja diçka pa lidhje dhe pakuptim. Doja diçka që ka një kuptim legjendar, duke e futur edhe në kontekstin e sportit që unë ushtroj. Kjo vinte edhe nga fakti që unë isha shumë i lidhur më Shqipërinë, me vëllezërit Keta dhe ndjesia që më jepnin sikur i përkisja deri diku edhe këtij kombi, edhe shqiptarëve. Për disa kohë kam jetuar në një shtëpi me Ismailin dhe gjithmonë, kur hanim mëngjes, para se të dilja nga shtëpia, vendosja kasetën e filmit “Skënderbeu” dhe e shikoja. Pastaj mund të vazhdoja gjithë ditën të bëja stërvitje, plane. Isha shumë i motivuar.
Kur e keni bërë tatuazhin?
6 vit më parë. E kam realizuar në Gjermani. 22 orë kam qëndruar shtrirë dhe me shumë dhimbje, duhej mbaruar e gjithë se nuk mund të ndaloja.
Ke udhëtuar në Shqipëri?
Po, po. Në bregdet kam qenë disa herë. Në Sarandë, Himarë, Bulqizë…
Edhe ne jemi krenar per ty o gjermano. Faleminderit gazetes Dita qe na ofrone personazhe te tille. E perdit shmja ka edhe keshtu njerzish
allall o trim gjerman.se ketu ka lapanqos shqiptar.qe bejen grek .kurse ju doni te bejeni shqiptar
e kur nje gjerman ka nje shqiponje . amund te me thoni cduet te bej januzaj
bravo,dhe vertet faleminderit qe flet fjal te mira per shqiperin
Bravo ! Te emocionon respekti qe tregon djali gjerman per Shqiptarine
Thank You Gjin !
Bravooooo
une kisha pas deshir qe ky Gjermani apo Gjini, ta realizoj nje klip.. le te del dhe te deklaron ne Anglisht keto fjal, qe le ta shohin dhe nderkombetaret, po ashtu dhe armiqte..! 😀