Shtatë persona, gjashtë prej të cilëve fëmijë, humbën jetën në një zjarr që ra në katin e parë të një ndërtese në qytetin Backnang, në jugperëndim të Gjermanisë. Autoritetet vendase thanë se viktimat janë një grua turke dhe 6 fëmijët e saj të moshës nga 6 muajsh deri në 16 vjeç. Policia dyshon se flakët janë shkaktuar nga një ngrohëse me defekt. Flakët kanë pushtuar ndërtesën rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe janë përhapur në katet e tjera me një shpejtësi rrufe. Për shuarjen e tyre janë angazhuar një numër i madh zjarrfikësesh dhe punonjësish, të cilët kanë arritur të shpëtojnë tre persona: gjyshin, xhaxhain dhe një motër 11-vjeçare të viktimave. Pas verifikimeve të para është përjashtuar mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.