Përçudnimi i arsyes dhe dhunimi i shpresës. Gjethet njëqindmilionëshe, qofshin ato të ferrave apo të fikut (Adami dhe Eva ka gjasa të kenë përdorur ato të hardhisë), janë freskore për duart të zhdërvjellëta tashmë në lojën e kukamfshehtit që dialektika politike luan prej kohësh me arsyen dhe me besimin e individit shqiptar.
Të ndërtosh është çështje besimi dhe shprese. Besimi dhe shpresa janë dy ingredientë pa të cilët çdo shoqëri, në çdo kohë e kudo, nuk bën dot. Dhunimi apo mashtrimi i tyre tejçojnë në ekstreme ku bëhet e vështirë të veprosh e të mendosh politikisht në dobi jo vetëm të vehtes dhe rrethit të ngushtë familjar apo miqësor, por dhe të tjetrit jashtë këtij rrethi, tjetrit që nuk e mendon si ty, pra të shoqërisë. Pakti që qëndron në bazë të ndërtimit të diçkaje që të vlejë për të mirën e të gjithëve themelohet mbi përvetësimin e kësaj vetëdije.
Tani le ti kthehemi realitetit. Ditë për ditë jemi të bombarduar nga mesazhe të cilat në shumicën e rasteve kanë për të vetmin qëllim të bëjnë zhurmë, të krijojnë kaos në diskursin politik. Në këtë kaos, si gjithnjë aty ku mbretëron mungesë e çdo rregulli apo respekti për të, fiton ai që bërtet më shumë. Bërtitësit fitues të kohëve tona nuk janë thjesht personazhe karizmatikë, përkundrazi. Në të shumtën janë thjesht njerëz me një personazh dhe karaturë publike apo politike frut i rrethanave dhe i situatave historike, aspak i talentit apo i dhuntive të stërvitura falë vullnetit dhe pasionit për jetën dhe nuancat e saj.
Bërtitësi fiton çdo betejë atëherë kur maratonomaku i kohëve moderne, media pavarësisht çdo mediumi që mund të përdoret, i bën eko zërit të tij. Ai nxjerr nga cilindri jo vetëm argumenta me qëllim për të krijuar diversion në diskurs por dhe lepuj e dhelprush të gatshëm të pohojnë absurditete me po atë forcë që gjithsecili prej nesh do të përbetohej mbi të vërtetën.
Dhe, nga ky moment e tutje është e mundur të pohosh rritjen e punësimit aty ku njerëzit numërojnë qindarkat çdo ditë dhe ku listat e borxheve janë bërë çarçafë. Po ashtu është e mundur të flasësh për mijëra kilometra asfalt aty ku çdo rrugë e nisur por jo e bitisur është një kurth në të cilin çdo ditë qytetarët e tu rrezikojnë jetën. Ti mund të vazhdosh më tej e të ftosh shqiptarët të guxojnë me iniciativa ekonomike, si psh shfrytëzimi i “vetive të fshehura” të gjetheve të ferrës, të cilat jo më kot kanë të njëjtën ngjyrë të dollarve dhe të lekut të lodhur tashmë, aty ku suksesi i biznesit është çështje këllqesh, “madhësia” e të cilave rritet në mënyrë të zhdrejtë me zvogëlimin e distancës nga dhomat e pushtetit.
Ne jemi lakuriq, i kemi hequr “brekët” moralit dhe të pafytyrtë prej podiumesh dhe katedrash i bëjmë thirrje rinisë të zgjohet, të eci më shpejt, të ndërgjegjësohet mbi dimensionin politik dhe vlerën e vullnetit të rinisë në sistemet demokratike. E ftojmë rininë të jetë pjesë e lojës politike. Madje sapo i ka djersitur mustaku e qimja mbi faqe i themi “Ne duam dhe votën tënde!”. Dhe çfarë i japim në këmbim? Një mashtrim të madh! Praktika pune për punësime “sezonale” apo një të ardhme si skllav në call-center apo pika bastesh. I themi studjo, merr një titull dhe ti në supermarketin neoliberal të titujve universitarë dhe akademikë. Dhe ti një ditë do të mundesh të mbash ligjërata akademike nëpër programe doktoraturash ndërkohë që je student i vitit të parë master. A nuk është kjo një “ëndërr” e bukur?!
Jo! Ky është një mankth i tmerrshëm. Dhe në mankthe, ashtu si dhe në çdo dimension onirik aty ku imagjinata nuk ka pse t’u nënshtrohet rregullave të fizikës, gëlojnë krijesa hibride, hidra shumëkokëshe dhe dragonj frymëzjarr që shkretojnë duke dhunuar shpresën dhe besimin. Në mankthe gjethet e ferrës kanë veti hidroabsorbuese magjike dhe mund të thajnë fusha, rrugë e lëndina të përmbytyra prej injorancës dhe babëzisë që kanë zaptuar sistemin pushtet.
E drejta e votës zakonisht nuk jepet e shoqëruar me një libërth apo manual përdorimi. Çdonjëri prej nesh e përjeton realitetin nisur nga pozicioni i tij në shoqëri dhe mundësitë që i krijohen si pjesëtar i saj. Problemi qëndron se shpesh herë vendimet tona merren nisur nga pritshmëritë, e sidomos tek të rinjtë shpesh këto të fundit ushqehen me iluzione e modele të dështuara në embrion sepse fiktive, të stisuara nëpër laboratore apo auditore ku kërkohet vetëm manupilimi i vullnetit të shoqërisë.
Që të mos vazhdojmë të dëgjojmë mbi vetitë çudibërëse të gjetheve të ferrës (fontosinteza pra si mekanizëm/proces “shkaktar” i boom-it ekonomik neoliberal shqiptar dmth “lëre në diell se herët a vonë do të piqet”) duhet që në momentin e formulimit të vullnetit tonë politik të pyesim vehten se çfarë duam nga e ardhmja jonë dhe sesi e shohim veten të projektuar në të. Për të bërë këtë, nuk mjafton të jemi kritikë apo skeptikë ndaj politikës por të mbajmë sytë hapur mbi mundësinë reale të një alternative politike e cila ka në bazë ripërtëritjen e besimit dhe të shpresës.
Shumëkush mund të thotë që pikërisht ky është problemi! Pra shqiptarët janë një popull me pritshmëri dhe ëndrra të mëdha mbi të ardhmen. Jam dakort! Por ka ardhur koha që këto pritshmëri e këto ëndrra të jenë me këmbë në tokë, me rrënjët fort në të.
Le ta nisim nga fushat e përmbytyra, nga rrugët e pasigurta, nga papunësia e tejskajshme, nga arsimi i përçudnuar. Le të fillojmë e të mos i kërkojmë politikës karrierë personale dhe lekë, makina lukzose dhe çingije, qafë të kravatosura dhe llogari bankare të majmura. Nëse hapim sytë mirë do të gjejmë gjithsecili arsye të panumërta për të votuar kë dhe pse. Vota përkon me një ndërgjegjësim qytetar mbi situatën e shoqërisë ku jetojmë dhe rolin tonë në të.
Vota nuk ka asgjë të përbashkët me vetitë magjike apo kurative të gjetheve njëqindmilionëshe të ferrave. Ato i duhen vetëm një politike të rrjedhur dhe të frikësuar nga humbja e pushtetit, humbje që do të duhej të përkonte dhe me një moment llogaridhënie për mëkatet e saj ndaj shoqërisë.
E pazakonte te ndigjosh nga kryeministri yne thirjen qe na ben se ” zhvillimin ekonomik dhe ritjen e mireqenies” ju o bashkeatdhetare te mi e keni tek “gjethet e ferave”.Ku ku moj nnene-thone shkodranet -jemi katandisur.U beme bageti.Po si ska turp ky kryeminister qe mendon dhe shpreh brockulla te tilla.Me siguri qe shteron cdo dite e meshume ne te menduarit dhe ne te vepruarit .