Një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e territorit në 89 ZAZ, ka reaguar Partia Socialiste. Përmes një deklarate për mediat, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, tha se nga arbitër, Kolegji Zgjedhor u kthye në rregullshkrues në interes të favoreve politike të PD-së.
“Ndarja e zonave zgjedhore është kompetencë e KQZ-së dhe nuk i takonte Kolegjit Zgjedhor marrja e atij vendimi, si një veprim antiligjor. Ishte Partia Demokratike ajo që kërkoi shtyrjen e vendimit pas çdo lloj afati, ndërsa urdhëroi administratën e KQZ-së për shtimin e numrit të ZAZ-ve. Ky shtim nuk përbën problem për ne, por rruga e Kolegjit përbën problem, pasi me vendimin e djeshëm po tentohet të hidhen në erë vendimet kolegjiale”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se kryeministri Berisha po e përdor Kolegjin Zgjedhor si instrument partiak në shërbim të tij, duke kanosur zgjedhjet e lira.