Subjektet minerare që operojnë në zonën e Bulqizës kanë rezultuar me probleme si përsa i përket zhvillimit të planit të investimeve, ashtu edhe shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit. Ministri i Energjisë dhe i Industrisë Damian Gjiknuri iu ka dhënë një paralajmërim të fortë kompanive koncensionare që shfrytëzojnë minierat. Gjatë një kontrolli që është realizuar në 39 miniera ka rezultuar se një pjesë e madhe e tyre janë me shkelje dhe janë marrë masa për 29 prej tyre. Ministri Gjiknuri e cilësoi Bulqizën si një nga zonat më problematike dhe theksoi se kjo masë është marrë pas kontrollit të bërë nga Grupi i Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar sipas detyrimeve të marrëveshjeve koncesionare dhe lejeve minerare të dhëna në zbatim të legjislacionit minerar në fuqi.
Sipas Gjiknurit, kompanive do t’iu lihet një afat 10 ditor për të shlyer të gjitha detyrimet që kanë ndaj shtetit në të kundërt ata rrezikojnë mbylljen e aktivitetit. “Kontrollet do të vazhdojnë në të gjitha minierat dhe ne jemi të vendosur që të zbatojmë të gjitha termat e kontratës. Parashikoj reagime nga koncensionarët. Ata janë duke luajtur me jetën e njerëzve duke i futur ne greva urie. Ne i paralajmërojmë që të mos vënë në rrezik jetët e njeërëzve. Nëse ata do të nxisin futjen e punëtorëve në greva atëherë ata po kryejnë vepër penale dhe do të përballen me shtetin. Shteti ka detyrime ndaj do të merren masat e duhura”, tha ministri Gjiknuri. Sipas tij për këtë çështje do të realizohet një program specifik, gjithçka do të varet nga reagimi i koncensionarëve nga investimet që ata do të kryejnë për përmirësimin e kushteve të punës, por edhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit.
“Industria minerare nuk mund të mbyllet direkt, por qasja e shtetit është shtrëngimi ndaj shlyerjes së detyrimeve për të shtuar prodhimin, por edhe për të rritur standardet”, tha ministri. Sipas tij nëse nuk do të reagohet shteti do të revokojë lejet në mënyrë që t’i marrë dikush tjetër. Sipas tij shoqëritë duhet t’i kthejnë shtetit investime, ndërsa do të merren masa të ashpra ndaj çdo shkelje për shfrytëzimin e padrejtë. Ministri paralajmëroi edhe vazhdimin e kontrolleve në kompanitë e naftës. Ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, tha se, nga kontrollet e kryera prej një muaji, koncesionet private nuk kanë zbatuar kushtet e sigurisë teknike për minatorët, nuk janë shlyer detyrimet ndaj shtetit, si edhe janë vërejtur raste të nxjerrjes së mineraleve jashtë çdo standarti teknik. Të ndodhur para një situate të tillë, nga 39 subjekte që operojnë në total, 17 prej tyre u është pezulluar leja e shfrytëzimit, ndërsa 10 subjekteve të tjera u është hequr kjo leje. Koncesionet private në Bulqizë, por edhe më gjerë në sektorin minerar shpesh herë kanë rezultuar me probleme të mëdha. Sipërmarrja private pas shfrytëzimit pa kriter të burimeve natyrore është larguar duke shpallur thjesht falimentimin e biznesit dhe thuajse në asnjë rast nuk është zbatuar plani i investimeve që është parashikuar në kontratat koncesionare.
Rezultatet e kontrollit
Për koncensionarin
Pezullim i pjesshëm i punimeve në shfrytëzimin e rezervave minerare, në zonën koncesionare të kompanisë Albchrome deri në realizimin e detyrimeve të mëposhtme:
Të realizojë Programin e Investimeve në objekt, për dy zërat kryesorë të Fazës së II-të:
a) hapjen e traverbangeve të Klosit
b) thellimin e Pusit 9 deri në nivelin XX.
Koncesionari të vërë sa më parë në punë sistemin e ajrimit të detyruar në minierë (ventilatorit stacionar) dhe brenda muajit Shkurt 2014 do të duhet te bëjë verifikimet e nevojshme, përcaktimin dhe miratimin nga strukturat shtetërore përgjegjëse të niveleve dhe pjesëve të minierës së kromit Bulqizë që do të duhet të trajtohen si minierë me regjim gazi.
Koncesionari të respektojë afatet kohore të zbatimit të programit të investimeve dhe hapjen dhe përgatitjen për shfrytëzim të rezervave të kromit nën nivelin 16.
Koncesionari të marrë masa të menjëhershme per plotësimin e mangësive dhe parregullsive të konstatuara për sigurinë dhe mbrojtjen në punë të punonjësve, për të cilat RISHM të mbajë nën kontroll zbatimin e tyre.
Z. Minister kur jane konstatuar gjithe keto shkelje, pervec “detyrave” qe ke lene, po per denoncim ne organet e drejtesise a ke bere, po gjoba qe tu kercasi xhepi, per mosplotesim te kushteve dhe detyrimet qe rrjedhin nga kontratat, te pa realizuara kunder ketyre “boseve ” a jane vene ? Nje vrime ne uje si gjithnje, kromin e drejton mafia dhe shteti perseri eshte i mposhtur dhe i nenshtruar para saj.