Zylyftar Hoxha
Kujt i ka rënë rruga të shkojë në Janinë nga Gjirokastra, Tirana apo Kakavia, po të ketë qenë i vëmendshëm ose edhe të ketë pyetur, me siguri do ta ketë parë godinën e vjetër të Gjimnazit Zosimea, që ekziston edhe sot e kësaj dite. Për fat të mirë të atyre që janë të interesuar, ai ndodhet në qendër të qytetit, tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë të Janinës.
Gjimnazi Zosimea fillimet e veta i ka në vitin 1828, nga vëllezërit Zosimas. Ata ishin gjashtë vëllezër nga Epiri. Që të gjithë si vëllezër mërguan nëpër Evropë, punuan atje dhe veç pasurisë që vunë, morën edhe kulturë perëndimore.
Siç veprojnë kurbetlinjtë e mirë, të lidhur me vendlindjen, edhe ata menduan të bëjnë një shkollë si ato që kishin parë në Perëndim në qendër të Janinës.
Si mjet për investim u përdor testamenti i njërit prej vëllezërve. Gjimnazi i Zosimeajve kishte një program gjashtëvjeçar. Në këtë gjimnaz greqishtja mësohej 12 orë, latinishtja 4 orë e gjysmë, ndërsa frëngjishtja 3 orë.
Gjimnazi i Zosimeajve njihej si një shkollë klasike, në të cilën i kushtohej kujdes i veçantë retorikës, letërsisë së vjetër greke dhe romake.
Zosimea ishte një shkollë tepër e veçantë në Perandorinë Osmane, ajo ishte një shkollë jashtë arealit të perandorisë Osmane që nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të asaj kohe. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për t’u vënë më pas në shërbim të perandorisë.
E para gjë, dhe më e rëndësishmja, për rolin e vet iluminues, ka qenë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Madje edhe mësuesit dhe drejtuesit i tij ishin simpatizantë dhe ithtarë të Revolucionit Francez, ata përhapnin në shkollë idetë e Volterit, të Rusoit dhe të filozofëve të tjerë të epokës së re të kapitalizmit që kishte nisur. Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al Alam” të botuar në vitin 1889, këtë shkollë e e paraqet si shkollë idadije e përsosur, speciale për grekët.
Që në fillim, por veçanërisht më pas, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-tëperiudhën “Zosimea” në Janinë, ishte qendra ku në format më të ndryshme, ushqehej ndjenja dhe dashuria ndaj çdo gjëje shqiptare.
Mësuesit e kësaj shkolle ishin figura të njohura dhe të ndriçuara të kohës. Dy nga drejtorët më të njohur të saj, ishin Anastasios Sakellarios (Saqellari) dhe Athanasios Psallidas.
Anastas Saqellari, ishte nga Hoshteva e Zagorisë, ka qenë drejtori më jetëgjatë i gjimnazit të famshëm të Janinës. Më 1862, kur Zosimea kishte arritur nivelet më të larta, Anastasit nuk i përsëritet mandati, ndoshta nga që i kishte trokitur pleqëria, por ndoshta edhe për një arsye tjetër, të cilën e gjejmë në në librin e Milo Kristanit ”Hoshteva & Hoshtevjatët” me bashkautor Ll. Saqellarin, ku thuhet se ai u shkarkua nga detyra, pasi regjistroi jashtë rregullave në gjimnaz, Ismail Qemalin(!). Ndoshta autori i këtij libri është nisur nga kujtimet e Ismail Qemalit, i cili në librin me titull “Kujtime” Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “Zosimea” mes tjerash shkruan edhe për vështirësitë që kish hasur si për regjistrim ashtu edhe për frekuentim, pasi kishte vajtur me vonesë.
Ja si shkruan ai: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës, por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mire për këta mësues, dhe ndaj një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut dhe të profesorit Cime që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frëngjishten… Drejtori i shkollës dhe profesorët e tjerë, me shumë mirësjellje, më lejuan të bëj provimet para kohës e më dhanë diplomë të rregullt si dhe një certifikate mirësjellje. Kështu lashë gjimnazin pasi kisha përfunduar studimet e mia humanitare (greqishten e vjetër dhe latinishten), pasi kisha marrë njohuri të mira në shkencat fizike dhe matematikë. Në të vërtetë kisha aftësi të veçanta për matematikë. Kisha bërë ushtrime e që ishin çmuar shumë nga profesori im”.
Drejtori tjetër, Athanasios Psallidas ishte grek. Më parë kish qenë këshilltar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës.
Duhet thënë se veç ndikimit perëndimor, në ngritjen e kësaj shkolle kishte direkt dhe indirekt dorë edhe Pashai legjendar i Janinës. Në radhë të parë për klimën dhe lirinë e krijuar në vilajetin e tij, të shkëputur nga perandoria osmane. Ky pasha me personalitet të fortë dhe dorë të hekurt, ia kishte dalë të fitonte një autonomi të madhe prej Portës së Lartë dhe Pashallëkun e vet, sidomos kryeqytetin e tij, ta kthente në një ambient urban paqësor, kusht i nevojshëm për të mbjellë fara dijesh si shkolla në fjalë.
Më vonë në shekullin e 20-të “Zosimea” vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj të në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri, por jo me atë famë e shkëlqim që pati në fillim. Në vitin 1918 për shkak të numrit të madh të nxënësve, në Janinë, krahas Gjimnazit “Zosimea”, themelohet edhe një shkollë tjetër e lartë ndërsa nga viti 1927 “Zosimea” fillon të quhet Shkollë e Lartë për Djem. Nga viti 1932, “Zosimea” u kthye në Shkollë të Lartë për Djem. Dhe në vitin 1937 nga organet përkatëse shtetërore i rikonfirmohet edhe një herë epiteti i shkollës model dhe me tradita historike, por gjithmonë me tjetër drejtim si shkollë e Lartë Model (Eng: High School Model).
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shkolla e Lartë “Zosimea” vazhdon funksionin dhe misionin e saj. Në vitin 1952 ajo zgjerohet si ndërtim me anekse të tjerë dhe më 1955 përurohet ndërtesa e re e Shkollës së Lartë, Akademia “Zosimea” e Janinës.
Sot “Zosimea” është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës.
Askush nga Shqipëria nuk është kujtuar për të dërguar në arkivat greke, por edhe në arkivat e vetë Gjimnazit Zosimea, studiues për të shfletuar dokumente, për të mësuar diçka më tepër emrat e mëdhenj shqiptarë që kanë studiuar në këtë shkollë si Ismail Qemali, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ali Asllani, Aleksandër Xhuvani, Elmaz Boçe, Anastas Byku, Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Kostandin Kristoforidhi, Sali Nivica, Hodo Sokoli, Ilia Dilo e shumë e shumë të tjerë.
Askush në Shqipëri nuk e ka vrarë mendjen se si ka mundësi që në territoret e dikurshme të saj të ngrihej një gjimnaz me standardet e sotme, dhe të hulumtojë se si ka mundësi që nga auditorët e saj të kenë dalë kaq njerëz të mëdhenj?
Askush në Shqipëri nuk e ka çarë kokën dhe të thotë që si ka mundësi që në një shkollë greke, të ndërtuar nga grekët, të studionin shqiptarë, ndërkohë që filantropë shqiptarë, si i mirënjohuri Vangjel Zhapa dhe ndonjë tjetër shqiptar ngrinin institucione të dijes dhe të kulturës në favor të grekëve!
Veçantia e fundit e kësaj shkolle ishte se ajo ishte me nxënës të shumë kombeve, me përbërje fetare të ndryshme, me prejardhje klasore të ndryshme.
Që të gjithëve iu mësua të ishin individë të lirë dhe të barabartë në të ardhmen. Shumë e shfrytëzuan lirinë e tyre, për t’u ofruar liri të tjerëve, siç është rasti i shqiptarëve që studiuan në këtë shkollë.
Personalitete shqiptare që kanë studiuar në “Zosimea”
Nga gjimnazi “Zosimea” të Janinës dolën personalitete të shquara shqiptare që iu përkasin të gjitha periudhave. Nga dokumente të ndryshme të botuara, si ish-nxënës dhe studentë të kësaj shkolle janë gjetur këta emra (mund të ketë edhe të tjerë):
Zenel Hito Gjoleka, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Mehmt Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Tahsini, Ali Asllani, Anastas Byku, Elmaz Boçe, Mehmet Esat Pasha (Mehmet Esat Bülkat ), Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Petro Poga, Hodo Sokoli, Dhimiter Tutulani, Sulejman Aliko Alikaj, Filip Aleks Joani, Dhimitër Zarkali, Gjergj Çako, Turhan Permeti, Sali Nivica, Apostol Meksi, Krist Meksi, Ndini Ziu, Gori Ziu, Kostandin Kola, Ibrahim Gramshi, Perikli Ikonomi, Vangjel Mëhilli, Hamit Xheka, Thanas Sina, Fiqret Shehu Fterra, Shemo Ceka, Sali Asllami, Ali Beqaj, Namik Delvina, Sylejman Delvina, Vehip Hoxha, Vangjel Zhapa, Vangjel Koça, Xhevat Korça, Myfit Libohova, Turhan Permeti, Aristidh Ruci Qazim Kokoshi, Mustafa Muço, Hamza Isaraj, Ali Spahiu, Qazim Mulleti, Llambi Goxhomani, Balil Mete Pelari, Kiço Konomi, Abaz Sinani, Ilia Dilo Sheperi, Fehim Mezhgorani Tepelena, Mustafa Kruja, Theodos Llukani, Leonida Bezhani, Thoma Papapano, Aleko Kondili, Aleksandër Xhuvani, Xhafer Shehu Fterra, Sinan Kërpi, Hysen Çela, Pavllo Konomi, Sotir Konomi etj.
Zagoritët, të favorizuar në gjimnazin e Janinës
Zagoria është krahina që ka patur më shumë nxënës në Gjimnazin “Zosimea”, ndoshta nga që ishte një zonë e banuar kryesisht me krishterë dhe afër Janinës dhe arsyea tjetër mund të ketë qenë se, për një kohë relativisht të gjatë, drejtori i gjimnazit ka qenë zagoriti Anastas Saqellari.
Nga Zagoria, Malëshova dhe Lliari kanë qenë këta nxënës që u bënë të gjithë mësues: Ilia Dilo Sheperi, Aristidh Ruci, Ndreko Mici ose Ndreko Dhaskali, Kolo Ndreu, Qiro Prifti, Qirjako Saqellari, Kiço Kalaja (Malëshovë), Petro Tyto, Spiro Prifti, Aleks Shabani, Ndreko Sotiri, Jorgo Shabani, Sotir Bita, Andon Bita, Vangjel Kaso, Sofokli Capi i parë, Mitro Stefani, Mihal Garo etj.
Sami Frashëri – grekëve:
“Nuk më keni ushqyer ju, kam ngrënë bukën time”!
Sami Frashëri në gazetën e tij “Terxhumani Shark”, në vitet 1870-1878 bën një polemikë të gjatë e të ashpër me gazetën greke “Neologos”, e cila mbështeste qarqet shoviniste greke të “Megali ideas” kundër Shqipërisë. Veç të tjerash gazeta greke e asaj kohe lëshon një lumë akuzash e sulmesh personale ndaj Samiut. Arrijnë deri atje sa i thonë se edhe mendjen e ka nga ata (grekërit), duke i përmendur gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku ai kishte studiuar në rini. Sipas gazetës në fjalë, Samiu kishte harruar bukën që i kishin dhënë grekët. Pas kësaj Samiu përgjigjet:
“Shyqyr zotit nuk kemi patur nevojë për ta na ushqyer të tjerët. Ne s’kemi marrë bursë apo ndonjë lloje ndihme greke. Për ne ka shpenzuar vëllai më i madh yni, Avdyli, që na kishte nën mbikëqyrje e kujdes…Ne nuk jemi rritur me edukatën greke, vetëm kemi mësuar gjuhën greke, në një shkollë greke. Ne nuk kemi ndjekur këtë shkollë për t’u ushqyer si “epitropos”, por për të marrë kulturë… Mos u dashka vallë që një njeri që ka qenë në një shkollë greke, e cila gjendet në territorin e perandorisë osmane ose edhe në territorin grek, të tradhtojë origjinën dhe kombësinë e vet, për të përkrahur pretendimet e padrejta të grekëve? A nuk do ta quante të ligjshme e ta miratonte “Neologosi” shërbimin që do t’i bënte një grek që ka studiuar në Petersburg, panësllavizimit në vend të interesave greke”!?…
“Po u more me muterat do te hane pulat”,(Proverb).
“Te shkretet greke mesojne ne shkolle se Qytetrimi i Antikitetit u themelua nga Krrishti, qe pat lindur ne Athine” (Proverb kishtar).
“GURE themeli” pergatitur; Rilindasit tane-“Zosimeas”
Faleminderit i nderuari Zylyftar Poda per keto sjellie thuajse te reja perr lexuesin e thjeshte,per ate shkolle te shkelqyer te Janines,qe me plot gojen themi,se ka qene “greke” ne teritorin historik Shqiptar. Mirenjohie gjithsa kontribuar, me RILINDASIT-atdheut tone..
Faleminderit shume penes suaj z.Zylyftar, sjelle kete shkrim me se te vyer,kontribut per Historine, shkollen dhe perparimin shqiptar.
Ne e dime mire historine e Janines dhe rrolin e saj,ne historine,sidomos te Rilindave tane,aty kulturen marre bijte atdheut tone,ne “pashallekun e Janines”, qe ju i permendni shume mire. Ju faleminderit.
Mirenjohie bijve te atdheut tone,mesuar ne Janine, rritur e punuar per atdheun nje jete.
Shume faleminderi i deruari Zylyftar Hoxha per kete hulumtim me vlere, sjelle ne kuadrin e festave te NENDORIT. I festofshim ato ne mbare trojet amtare,deri ne emigrantet e kudondodhur.
Me konsiderate;
Guri Naimit D.
Alexander Xhuvani nuk ka studiuar ne Zosimea.Ka studiuar ne nje shkolle te Mesme prane Selanikut.Studimet e Larta i ka kryer ne Universitetitn e Athines.
Konstandin Kristoforidhin nuk do ta gjesh me mbiemrin Kristoforidhi ne Radhoret e nxenesve qe kane mbaruar Zossimean.Do ta gjesh me emrin Konstandin Nelko.Epitetin Kristoforidhi ,Kostandin Nelko e mori pas shqiperimit te Ungjijve.Edhe ky universitetin e kreu ne Londer.Pra,kjo shkolle ka qene nje gjimnas klasik,ne nivelin e nje shkolle te mesme.