Sektori Kundër Narkotikëve në Gjirokastër ka finalizuar dje operacionin e koduar “Hënë e plotë”, duke sekuestruar armë, drogë dhe eksploziv dhe arrestuar dy persona të dyshuar. Aksioni u zhvillua mëngjesin e djeshëm në aksin Gjirokastër-Uji i Ftohtë në Tepelenë, në orën 01:00, kur morën informacione se një automjet tip “Benz” po transportonte një sasi lënde narkotike nga Lazarati në drejtim të Fierit, me destinacion Italinë. Në fshatin Hormovë u bë ndalimi i makinës me targa AA804AF dhe u arrestua drejtuesi Shpëtim Sinani, 42 vjeç dhe shoqëruesi O. S., 16 vjeç, të dy nga fshati Humelicë. Nga këqyrja e automjetit rezultoi se në bagazh kishte 21 pako me peshë të ndryshme gjithsej rreth 50 kilogramë marijuanë. Në banesat e të dyshuarve, konkretisht tek e Sinanit, u gjetën një automatik model 56, një pistoletë TT, granatë dore së bashku me ndezësin, dy kallëpe tritol me kapsollat detonatore dhe fitilin, 1650 fishekë automatiku dhe 1500 fishekë pistolete.