Drejtësia i fal burgimin e përjetshëm piktorit Ardian Tragaj, që akuzohet për vrasje të dyfishtë në një konflikt pronësie në plazhin e Golemit në vitin 2012. Gjykata e Kavajës e ka dënuar me 35 vite burg Ardian Tragaj, me akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje”. Me dy vite burg u dënua edhe kushëriri i të pandehurit, Leonard Tragaj, po për armëmbajtje pa leje. Ngjarja ndodhi më 25 korrik, ku pas një konflikti pronësie për rërën e plazhit, Ardian Tragaj vrau me armë zjarri Sulejman Shehun dhe Durim Pashalliun, ky i fundit roje. Gjatë përplasjes mbetën të plagosur edhe Beglie e Erion Shehu gruaja dhe djali i viktimës. Në ngjarje u plagos edhe vetë Ardian Tragaj.
Gjyqi
Mbrojtja kërkoi ndryshim të akuzës në vrasje, si pasojë e traumës së pësuar nga i pandehuri gjatë momenteve të konfliktit, përleshjes dhe më pas krimit të rëndë. Vet i akuzuari Targaj ka deklaruar në gjykatë se prej 6 vitesh ka probleme pronësie te Mali i Robit dhe viktima tentonte t’ia zaptonte tokën e tij në plazh. “Prej 6 vitesh kam kërkuar të zgjidhet problemi. Këtë çështje e kam çuar edhe në institucionet përkatëse dhe nuk më dhanë asnjë zgjidhje. Pronësie kisha me dokumente të rregullat dhe ma kanë zaptuar. Prokuroria e trajtoi çështjen në mënyrë të njëanshme”, është shprehur Ardian Tragaj. Ai ka shprehur pendesë për vrasjet e kryera ndërsa për çështjen e pronës shprehet se viktimë është ai vetë.
Prokuroria
Prokuroria e Kavajës ka dhënë një javë më parë pretencën para Gjykatës së Rrethit në lidhje me akuzën ndaj të pandehurit Ardian Traga, i akuzuar për masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Malin e Robit, më 25 korrik 2012. Organi i akuzës i kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të piktorit për shkak se krimi ishte i paramenduar dhe i rëndë. Madje sipas prokurorisë, në rrezik u vunë edhe jetët e dy familjarëve të tjerë të viktimës. Ngjarja pati një bujë të madhe për shkak të vendit ku u zhvillua, pasi kishte shumë pushues në orën kur ndodhi krimi. Madje një prej viktimave ishte edhe roja i një prej subjekteve private në plazh. Prokuroria kërkoi 3 vite dënim edhe për kushëririn e piktorit, Leonard Tragaj për armëmbajtje pa leje, kurse gjykata dje dha një vit më pak nga pretenca e kërkuar.