Për biznesmeni Arben Isufajn i njohur me nofkën “Ben Qimja”, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Ai kërkohet nga drejtësia italiane. Gjykata e Apelit kishte vendosur pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë, por prokuroria duke argumentuar se ka mbërritur kërkesa për ekstradimin e tij nga autoritetet italiane, iu drejtua gjykatës me një kërkesë të re për shqyrtimin e masës së sigurisë për Isufajn. Kështu një vendim të mundshëm për ekstradimin ose jo drejt Italisë, biznesmeni i njohur si “Ben Qimja” do ta presë në qeli. Biznesmeni fierak kërkohet nga drejtësia italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe u vu në pranga falë një aksioni të organizuar nga Policia e Shtetit më 9 mars 2014. Më herët Arben Isufaj ka fituar përballjen me drejtësinë shqiptare, ku mundi të mbyllë hesapet me gjykatat, edhe pse ishte vënë nën akuzë për vrasje.