Pajtimi i pasluftës midis Francës dhe Gjermanisë u mishërua në një traktat të përpiluar 50 vite më parë, por shumë besojnë se kënga “Goettingen” e regjistruar gjatë atij viti ishte po aq e rëndësishme sa dhe Traktati i Elizesë për përmirësimin e marrëdhënieve të këtyre dy vendeve.
Historia ka pasur shumë këngë që janë bërë të famshme në mbarë botën, të cilat mbartnin mesazhe domethënëse, por a i ndryshuan ato mendjet dhe zemrat e njerëzve të thjeshtë?! Njëra ia doli 50 vite më parë, kur plagët e luftës ishin ende të hapura midis Francës dhe Gjermanisë.
Monik Serf, hebreja me emrin artistik Barbara, autore e këngës “Goettingen” kishte lindur në vitin 1930, në Paris. Dy dekada pas përfundimit të luftës ajo udhëtoi në qytetin gjerman, Goetingen, në zemër të Gjermanisë. Ra në dashuri me këtë qytet dhe njerëzit e tij dhe këtë dashuri e mishëroi në një “himn paqeje”, së pari në frëngjisht e më pas në gjuhën e ish-shtypësve, në gjermanisht. I këndoi “Hermanit, Peterit, Helgës dhe Hansit”. Kënga pushtoi zemrat e audiencës në Gjermani dhe u bë hit. Një rrugë në Goetingen ka marrë emrin e saj dhe më vonë, ajo mori titullin “Qytetare nderi” në këtë qytet. Citimi në titullin që iu dha, thotë: “Kënga ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në pajtimin franko-gjerman”. Disa nga vargjet e saj janë: “Sigurisht ne kemi Senën/ por, Zot, sa të bukur janë trëndafilat në Goetingen” dhe pastaj “A mundet që koha e urrejtjes dhe e gjakut/ të mos kthehet kurrë më/ sepse këtu ka njerëz që shumë i dua”.
Njëri nga studentët e audiencës në teatrin ku ajo po këndonte, ishte edhe Gerhard Shrëder, i cili më pas do të bëhej kancelar i Gjermanisë dhe do t’i përdorte fjalët e këngës në fjalimin që do të shënonte 40-vjetorin e Traktatit të Elizesë për pajtimin e Francës dhe Gjermanisë, saktësisht 10 vite më parë.
“Isha një student i doktoraturës në Goentingen kur ajo këndoi baladën që preku zemrat tona dhe shënoi fillimin e një miqësie të mrekullueshme midis vendeve tona”, u shpreh Shrëder.
Barbara kishte shumë arsye për të qenë e trishtuar. Kishte pësuar abuzime seksuale nga i ati dhe e kaloi periudhën e luftës në arrati nga Parisi në jug të vendit në përpjekje për t’u shpëtuar nazistëve dhe me frikën se mos bashkëpuntorët e saj e dorëzonin në duart e persekutorëve.
Pasi lufta mbaroi, ajo u kthye në Paris. Rifilloi të këndonte dhe të merrte leksione pianoje në Konservatorin e Parisit. Dhe pastaj në Goetingen të Gjermanisë, njerëzit atje e dashuronin, sepse ajo e para e kishte shpërndarë dashurinë e saj mbi ta. Në Francë ishte bërë një yll, rrugët kishin marrë emrin e saj, madje një pullë postare kishte fytyrën e saj. Kur Barbara vdiq në vitin 1997, 250 mijë veta morën pjesë në funeralin e saj.
“Goettingen” u regjistrua fill pas një prej fjalimeve më madhështore të shekullit. Presidenti i Francës Sharl de Gol shkoi në qytetin gjerman Ludvigsburg dhe iu drejtua gjermanëve në gjuhën e tyre. Por cili ka pasur më shumë ndikim, fjalimi i Gjeneralit apo kënga e vajzës së re…?! Shumë nuk kanë dyshime që ishte kjo e fundit.
Somario: Njëri nga studentët e audiencës në teatrin ku ajo po këndonte në Goentingen ishte edhe Gerhard Shrëder, i cili më pas do të bëhej kancelar i Gjermanisë dhe do t’i përdorte fjalët e baladës në fjalimin që do të shënonte 40-vjetorin e Traktatit të Elizesë