Gjykata e Fierit dënoi dje me 4 vjet burg Afrim Kocaqin, për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Sipas prokurorisë, Kocaqi ka marrë pjesë në grabitjen e një banke në Greqi dhe më pas është kthyer në Shqipëri, ku ka depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë shumën prej 2,5 milionë lekësh të reja. Nga hetimet e kryera është arritur të provohet se kjo shumë nuk justifikohet me burime të ligjshme nga ana e personit të akuzuar dhe janë rrjedhojë e veprimit kriminal. Pasi dëgjoi pretencën e organit të akuzës dhe konkluzionet, gjykata dha dënimin për 37-vjeçarin e pandehur.
Denoncimi për Afrim Kocaqin është depozituar fillimisht nga policia e Fierit për procedim penal. Në bashkëpunim me homologët grekë u arrit të zbulohej se i pandehuri nga fshati Mbrostar-Ura, ka qenë në ndjekje penale edhe në shtetin fqinj për krimin e vjedhjes me armë të kryer më 24 janar 2011 ndaj një banke të madhe në qytetin Egjira të qarkut Ahias. Gjithashtu ndaj Kocaqit ishte lëshuar një urdhër arresti në vitin 2009 nga autoritetet greke në qytetin e Patras dhe ishte në kërkim. Afrim Kocaqi ka mbajtur mbiemrin Muço, por e ka ndryshuar atë në vitin 2005. Nga hetimet ka rezultuar se ka kryer derdhje cash të shumës prej 3,1 milionë lekë në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, veprim financiar pa asnjë përshkrim justifikues, i kryer në datën 16 nëntor 2011. Pas regjistrimit të procedimit penal, është vendosur sekuestro preventive mbi shumat monetare që gjendeshin në bankë, që në momentin e sekuestrimit ishte 2,5 milionë lekë, pra ishin tërhequr 600 mijë lekë.
Nga provat shkresore të administruara nëpërmjet letër-porosisë nga autoritetet gjyqësore greke, provohet fakti se i pandehuri Afrim Kocaqi ka bashkëpunuar me tre persona të tjerë, duke kryer vjedhjen e bankës në Egjira në datën 24 janar 2011, nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit. Ata kanë marrë të gjitha paratë që gjendeshin brenda kasafortës. Rezulton se në njërën arkë janë grabitur 31000 mijë euro, ndërkohë që punonjësit e bankës nuk kanë mundur të konfirmojnë shumën e saktë në total që është grabitur nga autorët. Paratë e grabitura janë integruar në sistemin financiar bankar për të humbur gjurmët dhe origjinën, duke i pastruar. Kocaqi nuk ka pasur asnjë burim tjetër të ardhurash apo aktivitete. Ndërkohë që dje është vendosur edhe konfiskimi përfundimtar i parave të të pandehurit.
sa idiot
Kater vjet sa pak qenka denuar?
Sa pak paska depozituar!!!