Kur e la Hollivudin për t’u martuar me princin Rainier të Monakos, Greis Kelli besoi se kishte gjetur bashkëshortin e përsosur. Por gjashtë vjet më vonë, pasi kishte sjellë në jetë trashëgimtarin Albert dhe princeshë Karolinën, ajo ishte aq e dëshpëruar, sa kishte vendosur të kthehej në Amerikë ku e priste një ofertë prej 1 milion dollarësh e regjisorit Alfred Hiçkok.
Ky është një ndër episodet e skenarit 106-faqesh të filmit “Greisi e Monakos” (Greis në anglisht nënkupton edhe hir, mirësi), ku Nikol Kidman interpreton Greisin e vetmuar dhe të dëshpëruar, viktimë e bashëshortit të saj abuziv. Skenari bazohet në qindra intervista që biografët kanë realizuar përgjatë viteve nga burime të brendshme të pallatit.
Familja mbretërore e Monakos i është kundërvënë filmit, sepse me të thyhet tabuja e nxjerrjes në pah e së vërtetës së saj, e cila mund të bëhet shkak për ndërmarrjen e projekteve të tjera filmike edhe më të sikletshme për familjen.
Me një shprehje unike pafajësie e brishtësie e njëkohësisht me një sensualitet të parezistueshëm, Greis Kelli është krahasuar shpeshherë me Marlen Ditriçin. Ajo u njoh me Rainierin gjatë një seti fotografik në pallatin e tij, në vitin 1955. Për princin e Monakos ishte një çështje urgjente ajo e sjelljes në jetë të një trashëgimtari, në të kundërt Monako do t’i kalonte Francës, sipas një traktati të nënshkruar në 1918-n. Pasi Greisi iu nënshtrua një ekzaminimi që vërtetonte se ishte e aftë të lindte fëmijë, ai i propozoi për martesë me një unazë diamanti 12-karatësh. “Rashë në dashuri me Rainierin, por ajo që do të vinte më pas ishte më e vështirë nga ç’e kisha menduar”, rrëfen ajo në skenën hyrëse të filmit.
Ditën ai ishte gjithnjë i zënë për të shoqen dhe netëve nuk flinte në të njëjtën dhomë me të. “Ky film është vetëm një pjesë e vogël e jetës së Greisit dhe nuk është aq negativ sa ç’do të duhej të ishte. Brenda një muaji ai kishte ndërruar të paktën tre të dashura”, shprehet Uendi Leig, biografja e princeshës. “Mendoj se familja ka dashur të ndalojë filmin në mënyrë që të mos bëhej e ditur mizoria dhe imoraliteti i Rainierit. E rrethuar nga dekadenca, Greis poshtërohej në mënyrë të vazhdueshme dhe ishte tmerrësisht e trishtuar”, thotë Leig.
Gjatë një vizite të Hiçkok (vizita që ndodhnin vetëm kur Rainieri nuk ndodhej në pallat), ajo iu duk e mërzitur dhe e përmalluar ndaj shtëpisë së saj në SHBA, vuante nga pagjumësia dhe klima e Monakos nuk i përshtatej. “Dukem e trishtuar, Hiç?” e pyeti. “Dukesh e lodhur Greis”, ia ktheu Hiçkok.
Gjatë një takimi me presidentin Sharl de Gol, ajo diskutoi me të për raportet e veçanta mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Por gjatë kthimit për në shtëpi, Rainieri i tërbuar i kishte bërtitur: “Kjo nuk është Amerika! Këtu njerëzit nuk flasin sipas mendjes së tyre”. Disa biografë pohojnë se Rainieri ishte i dhunshëm dhe ekstremisht kontrollues.
Kur ajo më në fund gjeti guximin për t’i treguar të shoqit se dëshironte të pranonte rolin e Marnies në filmin e ardhshëm të Hiçkokut, ai nuk refuzoi. Por, pasi besnikët i treguan për vizitat e fshehta të këtij të fundit në pallat, Rainieri ndryshoi mendje dhe i tha Greisit: “Do ta njoftosh zotin Hiçkok se ke hequr dorë nga filmi, më pas do të shfaqemi në publik për të treguar se sa të lumtur jemi këtu”. E dëshpëruar për jetën e saj brenda një “kafazi të artë”, ajo pajtoi një avokat divorcesh, por pasi u paralajmërua se mund të humbiste fëmijët, hoqi dorë dhe iu nënshtrua fatit të saj në Monako. Skenari i filmit përfundon me fjalinë: “Greis Kelli nuk iu kthye më aktrimit”.
Përgatiti: Dorina Gjuzi