Burgu i Trikalasë në Greqi është bërë mbrëmë skenë trazirash, pasi një grup i armatosur, i mbërritur me një automjet në afërsi të ndërtesës plagosi dy roje. Ndërkohë, 11 të burgosur arritën të arratiseshin. Sipas informacioneve të fundit, policia greke ka arrestuar katër prej të arratisurve, ndërsa shprehet se është çështje kohe kapja e të tjerëve.
Disa minuta pas arratisjes, autoritetet e burgut nuk arrinin të jepnin shifrën e saktë të të arratisurve dhe vetëm pas numërimit të të dënuarve që ishin ende aty u tha se të larguarit ishin 11.
Një sulm i organizuar mirë
Sipas informacionit të dhënë nga policia, kanë qenë të paktën 10 persona të armatosur me kallashnikovë dhe granata, të cilët kanë sulmuar burgun nga jashtë, duke e zhvendosur vëmendjen e gardianëve nga të dënuarit. 400 gëzhoja kallashnikovi janë gjetur në vendngjarje, 6 kratere të shpërthimit të granatave dhe 2 granata të pashpërthyera. Vetëm në një nga këndet e burgut ku ishte qëlluar, janë gjetur shenjat e 74 plumbave. Ndërkohë, të shtëna ka pasur edhe brenda burgut.
Dy të plagosur
Kanë qenë pikërisht rojet e kullës vrojtuese ata të cilët janë bërë shënjestër e sulmit. Dy oficerët, 30 dhe 40 vjeç, janë plagosur rëndë.
Dyshimet
Mbetet e panjohur mënyra se si u futën armët e zjarrit në ambientet e burgut. Ka dyshime se kallashnikovët mund të jenë futur në 24 shkurt, pikërisht ditën kur i dënuari Panajotis Vlastos tentoi të arratisej me helikopter.
Shqiptarët
Dyshohet se disa prej të arratisurve janë shqiptarë. Dyshimet përforcohen nga fakti se shtetasit shqiptarë të dënuar kryesisht për vjedhje ndodheshin në krahun C të burgut, aty ku pas nisjes së sulmit nga jashtë, një grup të dënuarish prenë me sharrë hekurat e qelisë dhe dolën në tarracë duke qëlluar me armë.
Precedenti
Një muaj më parë, një tjetër tentativë arratisjeje u regjistrua në këtë burg. Panajotis Vlatos tentoi të largohej nga burgu përmes një helikopteri, por u qëllua në momentin e fundit nga rojet e burgut, duke u plagosur.
Ndërkohë, një javë më parë, një tjetër tentativë arratisjeje mbajti pezull policinë greke për më shumë se 24 orë. I dënuari shqiptar Alket Rizai mori peng katër punonjës të burgut me kërcënimin se do të shpërthente një bombë, në burgun e Malandrinos. Pas 24 orësh tension, Rizai u dorëzua dhe policia greke zbuloi se ai nuk kishte pasur asnjë material eksploziv.
kujdes filluan aratisjet