Bashkëshortja dhe dy vajzat e tij janë të dyshuarat e vetme lidhur me vdekjen e Hamdi Sopës, zyrtari për informim në Qeverinë e Kosovës. Pistat e hetimit kanë zgjeruar dyshimet duke marrë parasysh provat që janë gjetur në banesën e të ndjerit Sopa.
Ky i fundit ka rënë nga kati i nëntë i ballkonit të tij, të martën pasdite. Por, para se të hidhej, ai kishte marrë në trup tri goditje me thikë.
Hetuesit kanë gjetur thikën nën lavatriçe në banjë dhe gjurmët e gjakut përgjatë rrugës që ka përshkuar Sopa.
Bashkëshortja dhe dy vajzat, ndërkaq, kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se familjari i tyre është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni.
“Hetuesia dyshon që ai është goditur me thikë në banjë, e më pas ai ka ecur nëpër korridor dhe ka përfunduar në ballkonin e banesës prej nga është hedhur. Gjatë rrugës që e ka përshkuar në banesën, kemi gjetur shenja gjaku”, ka thënë një burim i gazetës ‘Zëri’ i afërt me rastin.
Përveç tri goditjeve në pjesën e përparme të trupit, të cilat sipas raporteve të para të ekzaminimit të trupit të pajetë, nuk kanë qenë vdekjeprurëse, ekzaminimet kanë treguar se i ndjeri Sopa ka pasur edhe një prerje të vogël në shuplakën e dorës. / Gazeta Express