36-vjeçari Përparim Zaçellari u plagos dy ditë më parë nga bashkëshortja, e cila tha se e ndërmori këtë akt në kushtet e vetëmbrojtjes nga bashkëshorti i dhunshëm. Ndërsa po mjekohet në spital për plagët e shkaktuara nga pistoleta në zonën e organeve gjenitale, Përparimi thotë se e shoqja kishte planifikuar gjithçka dhe ai është zënë në befasi, përndryshe “do ta kishte hequr qafe” vetë i pari.
Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Përparimi thotë se gruaja e tij, Leonora, e kishte planifikuar krimin pasi ishte xheloze. Ai shprehet se e shoqja i ngriti zërin televizori, në mënyrë që të mbyste zhurmën e armës.
“Bashkëshortja ime ka qenë përgatitur që më parë për të kryer krimin. Erdhi nga puna dhe ndezi televizorin e dhomës së gjumit dhe ia ngriti zërin në maksimum. Unë isha në sallon, po shikoja TV. Vajza ishte ende në shkollë, ndërsa djali luante jashtë me shokët e tij. I kërkova t’i ulte zërin televizorit, por nuk m’u përgjigj. Erdhi në sallon dhe më gjuajti me pistoletë. Një plumb më vërshëlleu afër veshit, por nuk më kapi. Më qëlloi sërish, unë e pashë që u gjakosa dhe zbrita tej poshtë shkallët, kur mbërrita në katin e parë më ra të fikët. Mbaj mend që një herë arrita t’ia kapja armën, por isha plagosur dhe ajo më qëlloi sërish. Kur plumbi më preku nga pjesa e kofshëve u zvarrita deri poshtë shkallëve”, tregon Përparimi versionin e tij.
Përparimi pohon që të ketë ushtruar dhunë mbi gruan. “Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kur gruaja erdhi nga puna, në rrugë kishte takuar motrën time, Zamirën. Ajo e kishte parë që kjo kishte në dorë një pistoletë. Ajo erdhi me pistoletë në çantë, qëllimisht e ka ndezur TV me zë të lartë, që unë të mos e dëgjoja kur ajo të mbushte armën. Ka ardhur e përgatitur për të më vrarë. U tregua më e shkathët. Po ta dija që do më qëllonte, do e kisha hequr qafe më parë. Ajo ishte shumë xheloze. Për çdo herë që do dilja në punë më thoshte ‘ku shkon’, ‘mos shko’. Para një viti si tani, iku nga shtëpia bashkë me dy fëmijët, për një muaj e gjysmë. Unë e mora sërish. I kisha folur gjithmonë, por nuk e bëra dot njeri dhe ajo u ngrit e më vrau”, shprehet i plagosuri.
Përparimi ngul këmbë se Leonorës ia kanë dhënë armën vëllezërit e saj, për ta vrarë. Ai thotë se do të kërkojë që gjykata t’i japë kujdestarinë e fëmijëve, pasi me Leonorën nuk mund të bashkohet kurrë më.
Ndërsa në lidhje me gjendjen e tij, Përparimi nuk është optimist. “Unë nuk e di akoma nëse do të bëhem më njeri, me këto plagë që kam”, thotë ai.