Thirrjet e studentëve “E duam Shqipërinë si Evropa” nuk nënkuptojnë vetëm ndonjë proces anëtarësimi në Evropë, por mbi të gjitha evropianizimin e Shqipërisë. Sot Shqipëria është një vend që prodhon vlera antievropiane. Ne jemi vendi më i korruptuar i Evropës dhe shumë afër të qenit kampion të korrupsionit në botë. Vendi sundohet nga një familje në pushtet, që ka zaptuar gjithë institucionet dhe pasuritë publike të vendit, dhe sistemi i drejtësisë është një kapitull i dështuar. Vendi nuk ka liri ekonomike, nuk ka liri shtypi, nuk ka treg të lirë dhe konkurrencë, nuk ka një sistem arsimor cilësor dhe mungon përgjegjësia e pushtetit ndaj qytetarëve.
Në këtë aspekt ëndrra e brezit të studenteve të dhjetorit 1990 është më larg se kurrë objektivit të saj pas 22 vitesh, kur fëmijët e atyre studentëve janë bërë sërish studentë. Dhe për ta kuptuar më mirë se çfarë i ka ndodhur 8 Dhjetorit, shikoni ç’i ka ndodhur udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari. Ai është i rivrari i madh i këtyre 22 viteve. E vërteta është që ai mundi diktaturën duke udhëhequr studentët, por nuk e mundi dot kurrë Sali Berishën deri sa u vra para zyrës së tij. Prej dhjetorit të vitit 1990, deri më 12 Shtator 1998, ai ishte për tetë vite rresht në një betejë të përditshme politike dhe fizike me Sali Berishën. Ky i fundit i hoqi imunitetin, e përjashtoi nga partia që themeloi, nuk i foli kurrë me gojë deri në vitin 1997 dhe e përdori në fund si mish për top në konfliktet e tij me vendlindjen duke e vrarë para zyrës.
Njeriu që përmbysi komunizmin dhe themeloi partinë e parë opozitare, e cila mori më pas pushtetin nuk arriti të bëhej asnjë ditë ministër i asaj qeverie, ndërkohë që në traditën e asaj partie ata që bëhen ministra thirren nga rruga, vetëm të mos konkurrojnë si vlera, por si plehra të importuara.
Online nga adresa: gazetatema.net