Rrëfim i oficerit madhor Hetem Halili, një nga dëshmitarët e gjallë të gjyqit kundër Beqir Ballukut e bashkëpunëtorëve në ‘Grupin puçist në ushtri’. Si jetohej e punohej në ishullin e Sazanit, bashkëjetesa e ushtarakëve e familjeve shqiptare me ato homologët rus e familjet e tyre. Pse e refuzoi Komitetit Qendror informacionin e Drejtorisë Politike për Ndërmarrjet Ushtarake dhe përplasja e Beqir Ballukut me Hito Çakon
Hetem Halili: Në ishullin e Sazanit, jetonin qindra ushtarakë e rreth 100 familje oficerësh shqiptarë dhe rus. Çdo hyrje e dalje atje, si për ushtarakët, familjarët e tyre, përfshi fëmijët e vegjël, bëhej me ‘Fletë-Hyrje’ e ‘Fletë-Dalje’. Kishte shkollë, kinema, qendër tregtimi, por problem ishin dritat (vetëm disa orë natën me gjenerator) dhe uji i pijshëm.
Ishulli i Sazanit, ku jetonin qindra ushtarakë e rreth 100 familje oficerësh shqiptarë, ndër dekada, ka qenë ndër vendet më të vështira… Ai, në fakt, i ngjante një vendi internimi, ku rrallë, shumë rrallë, mund të futeshin në të me leje të posaçme, apo të dilnin, vetëm banorët e tij. Aty,në kohën e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, jetonin dhe disa familje ruse. Detaje të kësaj natyre sjellë në rrëfimin e tij ish-oficeri madhor Hetem Halili, që ka jetuar disa vite në këtë ishull.
Zoti Halili! Keni punuar gjatë në Sazan, a quhej ishull ‘izolimi e internimi’?
-Po. Kam punuar atje 5 vjet, po që në fillim po them se nuk është plotësisht ashtu… Kam vajtur në Sazan në janar të vitit 1956 me detyrën e Përgjegjësit të Rinisë së Grupit të 9 Bregdetar. Kisha katër organizata rinie, tri bateri dhe një togë drejtimi, por ishin organizata të mëdha, me një efektiv, rreth 270 vetë. Dy bateri ishin në Sazan, ndërsa dy bateri ishin në Kepin e Gjuhëzës në Karaburun… Ishte gjithashtu dhe një batalion këmbësorie dhe një bateri autonome, togat e ndërlidhjes, toga e xhenios, etj…
Po efektiva të Flotës Detare kishte në ishullin e Sazanit?
-Po. Kishte. Ishte Brigada e Mbrojtjes së Ujërave,(BMU). Komandant i ishullit atëherë ishte Zija Kambo, kolonel, ndërsa punëtor politik në këtë njësi ishte Miço Kola.
Kishte familjarë atëherë në Sazan?
-Po kishte. Ishin mbi 100 familje në këtë ishull. Punonin e jetonin atje. Ishin familje të ushtarakëve e të punonjësve të logjistikës…
Si është historia e militarizimit të ishullit të Sazanit?
-Po. Gjatë luftës, dihet, ishullin e kishin zaptuar pushtuesit. Pra, atë e kishin italianët, kryesisht si bazë… Në fund të vitit 1944, një grup partizanësh, shkuan me varkë dhe e çliruan… Kur ishin italianët atje, bënë ndërtime ushtarake, në një farë mënyre mjedise jetese të domosdoshme. Ishte godina dykatëshe e komandës, kishte dhe mjedise të tjera ndihmëse, që ishin funksionale…
Si zgjidhej problemi i ujit të pijshëm ën Sazan?
-Italianët kishin bërë depo-rezervuar betoni. Mbusheshin nga shiu, pra ujë pa kripë dhe përdorej… Përdorej dhe për pirje e gatim. Italianët, në një kodër të vogël të Sazanit, në veri, kishin ndërtuar Vilën e Admiralit… Kjo vilë shërbeu më pas për strehimin familjarëve… Aty afër kishin ndërtuar edhe kinema… Kishte dhe ndërtime të tjera… Kishte ndërtime dhe që u populluan dhe në molin e Sazanit. U përdorën për marinarët ndër dekada…
Diçka për jetesën në ishull?
-Kuptohet, nuk qe e lehtë. Kur vajta unë, gjeta atje një numër të madh oficerësh… Një pjesë e madhe e tyre ishin me familje, të strehuar atje… Po u bënë dhe ndërtime të reja. Kishte një rrjet tregtar fruta-perime, mani-faturë, të cilat furnizoheshin nga Vlora. Unë isha beqar.
Kishte shkolla në Sazan?
-Po, kishte kinema, shkollë, furrë buke, vende pune për familjarët… infermieri, spitale, mjekë… Kishte gjithçka që duhej për aktivitet e jetesë normale…
Sazani njihet si vend izolimi, e familjet oficerët i merrnin me detyrim për të banuar atje?!
-Po kush martohej, do e merrte familjen në Sazan pasi si ndryshe jetonin të ndarë. Nuk kishte rrugë tjetër… Detyra e ushtarakut i ka këto vështirësi, këto privilegje…
Mund të na e përshkruani jetën në ishullin e Sazanit?
-Thashë edhe më parë që jeta në Sazan ishte e vështirë, por jo aq s’mund ta mendojnë ata që nuk kanë qenë qoftë dhe një ditë atje. Vështirësia më e madhe ishte për ujë, veçanërisht për familjarët. Kishte vetëm një çezmë natyrale me prurje shumë të vogël, ku radha nuk mbaronte kurrë… Kishte dhe një plazh të mirë, shumë i mirë ishte… Ai ishte dhe mbetet perlë… Nuk di kush e ka atë sot, është në shfrytëzim apo jo….
Si realizohej lidhja me Vlorën?
-Për hyrje e dalje në Sazan, kishte një anije-rimorkiator. Kishte emrin ‘Kozma Nushi’. Ai vinte tre herë në javë, përkatësisht të hënën, të enjte dhe të shtunën. Vetëm këto tre herë, njerëzit mund të dilnin… Hyrja dhe dalja nga Vlora, për të gjithë, nga komanda e Ishullit, deri tek ushtari i fundit, bëhej me autorizim… Përfshi këtu dhe civilët… Dhe për të dalë, do të dilje vetëm me lejë…U befasove?
Si e pritët emërimin në ishullin e Sazanit?
-Kur më thanë se je emëruar në Sazan, nuk di se si e kam përmbajtur veten, apo si e kam pritur. Por dihet, ishim ushtarakë, kishim bërë betimin e se do të shkonim atje ku të kishte nevojë atdheu… Kështu që unë do të shkoja të punoja atje ku më kishin caktuar. Ushtarakët, kanë pasur dhe kanë betimin për Atdheun, atëherë dhe sot. Pra, sigurisht që shkova atje ku më kërkonte detyra. Më thanë të marr autorizimin në Komandën e Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, pasi duhej lejë si për të hyrë, ashtu dhe për të dal nga ishulli i Sazanit. E mora, por atë ditë nuk kishte linjë nga Vlora në Sazan… Vajta me një peshkatore… Ishte në bord… Më saktë, u nisa se nuk munda që të shkoja…
Cila ishte pengesa?
-Thashë, u nisëm, por nuk mundëm që të shkonim… Pasi, që në nisje, na zuri deti… Kishte dhe kushte teknike e të motit që nuk mundëm që të ecnim… U kthyem prapa… Kjo ndodhi që në ditën e parë, kur ende nuk kisha shkuar në vendin e punës, me thënë të drejtën, më mërziti…
Jemi strehuar atë natë në portin e Shin Janit, në pjesën veriore të Kepit të Gjuhëzës. Detarët, ushtarakët që kanë shërbyer në Vlorë, e dinë ku ndodhet ai… E gdhimë natën ulur në anije, se nuk kishim ku të shkonim. Të nesërmen në drekë, ikëm me peshkatore… Sazani, ishte rajon tepër sekret dhe pak kush mund të shkonte atje. Dhe fëmijët e vegjël do i nënshtroheshin rregullave strikte…
Dhe fëmijët e vegjël pajiseshin me leje?
-Sigurisht. Dhe ato pajiseshin me lejë. Për të lindur, gratë shtatzëna që banonin në ishull, lindnin në Vlorë. Atje ishte dhe gjendja civile. Pasi, atë kohë, kur ishte i populluar Sazani konsiderohej lagje e ‘Skelës’ në Vlorë… Ndonëse ishte objekt i rëndësisë së veçantë…
Pasojat e betimit ‘Ku të ketë nevojë Atdheu’ të ushtarakëve, i vuanin dhe gratë e fëmijët e tyre?
-Po, thash që jeta bëhej, ndonëse me vështirësi….
Kishte ushtarakë të huaj në Sazan?
-Po. Kishte ushtarakë rusë. Ata ishin në një pikë sinjal vrojtuese, PSV. Ajo ishte më e mira në gjithë bregdetin shqiptar… Ndoshta dhe më gjerë, në Mesdhe….
Sa familje të ushtarakëve të huaj kishte gjatë kohës që ju ishit në Sazan?
-Kishte oficerë shumë, por familje ruse ishin vetëm 5…
Si ishte jetesa e tyre?
-Si e gjithë banorëve të ishullit. Për të hyrë dhe për të dalë, si ne, me të njëjtën anije, me të njëjtin regjim…
Po në rast urgjencash mjekësore si operohej me ushtarakët dhe banorët e ishullit të Sazanit?
-Nuk priteshin rimorkiatorët që udhëtonin vetëm në ditët që unë u thashë më lart. Përdoreshin edhe mjete luftarake që ishin në organikë të ushtrisë.
Çfarë mund të na thoni më gjerësisht për jetesën e ushtarakëve rus, bashkëpunimin me kolegët shqiptarë?
-Thashë edhe më parë se ishte PSV, e cila kishte organikë të përbashkët, të dyfishtë, shqiptare dhe ruse. Kjo për çdo funksion luftarak e ndihmës…
A përdorej Sazani si vend internimi, apo më saktë ndëshkimi për ushtarakët?
-Jo, jo. Është folur dikur, e vazhdon që të flitet dhe akoma dhe nga ndonjë… Ua them dhe një herë që ‘jo’! Atje dërgoheshin njerëz të aftë e të besuar. Bile, duhet të ishin shumë të besuar…
Kishte kuadro që ‘harroheshin’ atje për vite e dekada?
-Kjo qe e keqja. Kishte kuadro dhe familjarë që liheshin gjatë atje, e kuptohet që kishte probleme me familjet. Tani, shkaqet janë komplekse.. Më shumë qëndroi në ishullin e Sazanit Demo Nexhipi, oficeri i Sigurimit të ishullit. Në mos gaboj, ai ka qëndruar atje më shumë se 15 vite…
Si përballoheshin nevojat jetike për qindra apo mijëra njerëz që ishin në ishull, si bëhej furnizimi?
-Kishim dhe bagëti nëpër reparte. Atëherë quheshin ekonomi ndihmëse të reparteve e të njësive ushtarake. Ato, pra, administroheshin nga komandat ushtarake. Çdo familje, mes të tjerave, merrte një kg qumësht me 10 lekë kg në ditë nga këto bagëti të ushtrisë…
Përfitonin nga kjo e drejtë dhe familjet ruse?
-Sigurisht, edhe ato si familjet e oficerëve tanë… Por punohej me mjetet dhe mundësitë që kishim. Ato vite që unë isha atje, u bë dhe një fermë e vogël me fiq… Kishte dhe një fermë që e administronte komanda, prapavija për nevojat e banorëve të ishullit…
Po furnizimi me energji elektrike?
-Në Sazan kishte central elektrik, që bënte furnizimin… Furnizohej me karburant… Por koha e furnizimit ishte minimale. Orari ishte: Ndizeshin dritat sapo errësohej, dhe fikeshin në orën 11:00, pa ardhur mesnata…
Domethënë, ishte jetë ‘burgu’, më shumë në errësirë se sa me dritë?
-Jo, nuk ishte ashtu… Ishin tjera kohë atëherë… Vështirësi kishte në gjithë vendin. Nuk mohohet, ishte shumë vështirë në këtë errësirë. Ishin disa shokë që luanin shah, por ikja e dritave, i detyronte të ndërprisnin lojën. Por, ai që luan, e di që është vështirë të ndërpresësh lojën e shahut… Kështu, të marrosurit pas loje, ndiznin gazeta e loja vazhdonte… Shumë raste, deri në mëngjes… Theksoj se ajo kohë e vështirë, kishte dhe sadisfaksione, miqësinë, harmoninë, unitetin, dashurinë mes njerëzve…
(Vijon nesër)
Halili: Debati me Beqir Ballukun për informacionin që nisa në Komitetin Qendror
Në fund vitin 1974, për krerët e ushtrisë që do shpalleshin ‘armiq’ e do dënoheshin, u gjetën akuza që lidheshin dhe me administrimin Ndërmarrjeve ushtarake dhe ekonomive ndihmëse në njësi e reparte. Hetem Halili, rrëfen momentin kur Komiteti Qendror i PPSH kërkon informacion për këtë qëllim, i cili refuzohet e fut në konflikt Beqir Ballukun e Hito Çakon…
Gjatë bisedës pohuat se në analiza po ‘mblidheshin’ akuza për gjeneralët nga të gjitha fushat?
-Ishte porosia nga aparati i Komiteti Qendror i PPSH që të dërgonte Drejtoria Politike një raport për gjendjen ekonomike të ndërmarrjeve ekonomike të ushtrisë…
Si u zbatua kjo nga ana juaj në Drejtorinë Politike?
-Ndërmarrjet në ushtri kishin Komitet Partie të Përbashkët. U kërkoj të më dërgonin informacion për sa kërkonte Komiteti Qendror. Dërgojnë një raport nja 12 faqe….Me thënë të drejtën, ishte i dobët… Unë e përmblodha në katër faqe…
Ku e dërguat fillimisht informacionin?
-Tek Halim Ramohito. Ai e firmosi dhe ne e nisëm në Komitetin Qendror.
Çfarë reagimi pati?
-Të nesërmen në mëngjes, sapo shkojmë në punë, më thërret zëvendës drejtori i Drejtorisë Politike, Ilo Prifti. Më thotë: “O derëzi, kush e ka bërë atë raport”. I thashë se mbi bazën e materialit që ka bërë Komiteti i Partisë së ndërmarrjeve, e përpilova, e firmosi drejtori Halim Ramohito dhe e dërgova. “Eja me mua se të kërkon ministri”, më tha.
Çfarë biseduat me Beqir Ballukun?
-Unë mora raportin fillestar, materialin që kishim dërguar në Komitetin Qendror dhe shkojmë lart tek ministri Beqir Balluku. I thashë që e kam bërë unë. ‘Pse e ke bërë dhe pse e ke formuluar kështu’, më tha ai. I thashë se e kam bërë mbi bazën e raportit të Komitetit të Partisë. Më kërkoi raportin e filloi analizat mes dy materialeve… Kjo thotë kështu, kjo nuk thotë ashtu… Ikim … Në ikje i thotë Ilos: “Sot në orën 10:00 të gjithë drejtorët e Ndërmarrjeve Ekonomike të jenë këtu!” Mua më tha: “Shko në ekspeditë, e po nuk është nisur, ktheje materialin”… Ishte nisur materiali, kështu që nuk kisha çfarë të ktheja…
Çfarë ndodhi pas mbledhjes?
-U bë mbledhja… Unë nuk isha në të se kisha punë tjetër… Në orën 12:00 vjen në zyrën time poshtë Ministri Beqir Balluku e më thotë: “E shikon se nuk del ashtu siç është shkruar, sepse janë llogaritur aty dhe nxënësit në ekonomi (praktikë që ndiqej atë kohë). M’u kthye mua Ilo Prifti dhe më tha: “Pse nuk i ke verifikuar!”. I përgjigjem: “Është e pa mundur, ndërmarrjet ekonomike janë shtrirë në gjithë Shqipërinë. Dhe parimisht, derisa e ka sjellë Komiteti i Partisë, nuk mund ta hedhim poshtë, pasi vihet në dyshim puna e Komitetit të Partisë”. Me kaq u mbyll kjo punë…
Në çfarë konkluzioni u arrit?
-Kanë kaluar dekada, dhe sot e kam të paqartë… Përse ky shqetësim, pse duhej informuar Komiteti Qendror… Pasi po të kishte probleme, ata duhej të analizoheshin e të përmirësoheshin në Ndërmarrjet Ekonomike të Ushtrisë… Por nuk ndodhi kështu!…
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e rrëfimit të Hetem Halilit: Si përzgjidheshin ushtarët që shërbenin në ishullin e Sazanit, përse merreshin kryesisht nga Shkodra dhe nga Tirana.
-Marrëdhëniet midis ushtarakëve, familjeve shqiptare dhe atyre ruse që banonin në ishullin e Sazanit.
-Një ngjarje në shtëpinë e oficerit rus dhe ndëshkimi nga Moska për kolegët rus. Si u dënua oficeri Vollodia për shkak se piu dollinë për Enver Hoxhën.
Interesante! Te tilla shkrime i sherbejne formimit historik te brezit te ri, ketij brezi qe ka nevoje te dije se si veprohej ne ate kohe. Respekte, i dashur Hetem!
me beri pershtypje intervistuesi qe trembet per betimin e oficereve per sherbim ndaj atdheut.Brez koti me gjithe kuptimin e fjales eshte ky brezi i ri sot. Gazetarit I duket sakrifice e madhe ketesa ne ishull , sepse sipas mendjes se tij te percipte s ka patur diskoteka e lojra fati e ku ta di une. Faleminderit zoti Hetem qe na solle nje perjetim njerezor
Interviste mbreslenese. Cdo gje e vertete ashtu sic tregohet nga i intervistuari.Nuk ka dashur ti tregoje te gjitha veshtersite qe kalonin ushtaraket dhe familjaret e tyre.