Humbja me Partizanin në javën e fundit nuk do të ndikojë në ecurinë e rezultateve të Kukësit në takimet e mbetura të sezonit. Këtë garanci e jep kapiteni i nënkampionëve të Shqipërisë, Rrahman Hallaçi, që këmbëngul se objektivi Europa League as që duhet të vihet në dyshim, pavarësisht kundërshtarëve të vështirë në dy ndeshjet e radhës. “Partizani është një skuadër me traditë dhe na ndëshkoi me një goditje standard. Ne dhamë maksimumin, por aq ishin mundësitë tona në atë takim. Kthesa do të vijë që me Laçin këtë javë”, thotë Hallaçi. Kundër laçianëve Kukësi ka marrë dy fitore në takimet e mëparshme të këtij kampionati. “Gjej rastin të falënderoj tifozët për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë ndeshjes, por edhe në përfundim të saj. Ata na dhanë moral për sfidat e fundit, ndaj duhet t’i falënderojmë”, thotë kapiteni, duke dashur që t’ua shpërblejë me një trofe tifozëve. Ai siguron se Kukësi nuk do të mendojë para kohe për finalen e Kupës: “Nuk po ruajmë forcat për finalen me Flamurtarin, pasi më parë kërkojmë ta mbyllim kampionatin në vendin e dytë”.