Hamdi Salihi është idhulli i ri i tifozëve të Hapoel Akre në Izrael, pas dy gola që përmbysën rezultatin në ndeshjen kundër Ironi Ramat Sharon. Sulmuesi kuqezi ka zhvilluar vetëm dy ndeshje me skuadrën e re, duke përligjur investimin e bërë, pasi ai është blerja më e shtrenjtë e klubit pa shumë histori. Sigurisht që Salihi ishte edhe gjahu i preferuar i gazetarëve pas fitores 4-3, duke u shprehur se ajo ishte një ndeshje për t’u mbajtur mend. “Nuk më kujtohet të kem luajtur më parë në një ndeshje ku ndodhin përmbysje të tilla”, deklaron Salihi. “Ishte një fitore e vështirë. Unë jam shumë i lumtur që arritëm të ktheheshim fuqishëm, pasi e nisëm shumë keq. Jam i lumtur për veten time, por sidomos për ekipin. Qysh nga dita e mbërritjes këtu kam parë shumë kualitete në grupin e lojtarëve, kemi një trajner të mirë dhe e meritojmë të marrim rezultate. Ne nuk e meritojmë të jemi në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë”. Skuadra e tij ishte duke humbur 1-3 në shtëpi, kur brenda katër minutave Salihi shënoi dy gola, duke barazuar rezultatin, ndërkohë që më pas erdhi edhe goli i fitores. “Ne sulmuam që nga minuta e parë. Na duhej fitorja, por duhej të tregonim më tepër kujdes edhe në mbrojtje”, analizon sulmuesi kuqezi. “Harruam që edhe kundërshtari di të shënojë. Duhet të bëjmë kujdes, pasi nuk mund të shënojmë çdo ndeshje nga katër gola”. Përvoja me shumë skuadra në tre kontinente e ndihmon lojtarit të integrohet pa vështirë në çdo skuadër të re dhe kjo ka ndodhur edhe në Izrael. “Kisha edhe mundësi të tjera, por vendosa të vija në Izrael, pasi drejtuesit e Hapoel Akres besuan pa asnjë hezitim në aftësitë e mia. Grupi i lojtarëve më ka mirëpritur dhe këtë e vlerësoj shumë”. Trajneri Juval Naim, i entuziazmuar, u shpreh pas takimit se “me Salihin kemi bërë bingo”, por nuk ishte ai i vetmi që lëvdoi sulmuesin shqiptar. Portali izraelit walla.co.il ka vënë në dukje se Hamdi Salihi njihet me nofkën “Gerd Myleri shqiptar” dhe se këtë nuk ia ka vënë ndonjë tifoz i çmendur pas tij, por vetë Oto Bariç, në kohën kur drejtonte kombëtaren kuqezi. “Para disa vitesh është kërkuar nga Sëlltik dhe duket e pabesueshme që Hapoel Akre të arrijë të firmosë me të. Një Zot e di sesi ia ka mbushur mendjen trajneri Juval Naim. Në letër, ai është lojtari më interesant që ka ardhur të luajë për një ekip modest si Hapoel Akre”.