Lista përfundimtarëve e personaliteteve që do të jenë mysafirë të qeverisë shqiptare në festimet e 100 vjetorit është një dëshmi e hidhur e ri-izolimit të Shqipërisë. Shumica e të ftuarve që kanë ardhur i takojnë klubit antievropian të politikës ku shquan hungarezi Orban, ndërsa nuk ka asnjë kryeministër perëndimor dhe asnjë personalitet të lartë nga Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ka disa arsye që na detyrojnë të ri-vërejmë këtë izolim. Mbi të gjitha qëndron harbimi egocentrik i Sali Berishës, që ka një vit të tërë që secilin kryeministër, kancelar apo president që takon në ndonjë kafene apo korridor të ngushtë konferencash, ku s’ke si ta shmangësh, thotë që e ftova në Shqipëri për 100 vjetorin. Kështu na ka thënë për kancelaren Merkel, presidentin francez, kryeministrin italian, kancelarin austriak, etj. E vërteta e thjeshtë është se masturbime të tilla krijojnë imazhin e një kryeministri tërësisht jo serioz, i cili nuk të fton, por të përdhunon publikisht për interesin e tij. Kur matesh të thuash që ke ftuar kancelaren Merkel apo homologun e saj francez, italian e austriak, duhet që më parë kancelaritë të kenë bërë punën e tyre, festa të jetë planifikuar dhe pastaj mund ta gjesh një rast ta bësh publik. Ky sharlatan, që ka vite të tëra që nuk bën dot një vizitë zyrtare në një ndonjë vend perëndimor, por merr pjesë vetëm në seminaret dhe konferencat e Partive Popullore, ku për fat ka plot kryeministra, kërkon të na shesë shkëmbimet e duarve dhe buzëqeshjet e kortezisë si raporte me Evropën, dhe ka një vit e ca që mbush dynjanë se ka ftuar gjithë Perëndimin më 28 Nëntor.
Tani lista është konkrete, e shkurtër, bile fyese për Shqipërinë. Mund të na e kursente këtë ligështim duke mos dërdëllitur për ata që gjente rrugëve dhe i ftonte përmes TVSH dhe TV Klanit, se ndoshta akoma nuk dinë gjë që i ka ftuar. Por më e hidhur është, siç ka shanse të jetë, që kanë refuzuar me qetësi ftesën e një njeriu, i cili bën sikur i fton në kullën e vet e jo në festën kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është ana etike e problemit, një këndvështrim i cili na ligështon së tepërmi, pasi na kujton sa pak miq kemi dhe sa megalomanë jemi për vlerat tona.
Por ky bilanc i hidhur ka dhe anën e vet politike dhe historike. Shqipëria është një vend, i cili po përpiqet duke u zvarritur të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ndërkohë që me një ndërhyrje të fortë amerikane është bërë vend anëtar i NATO-s. Të dyja këto institucione nuk kanë dërguar askënd në ceremoninë e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, shtetit që po kërkon doemos të jetë pjesë e Evropës, pavarësisht aksidenteve politike që i ndodhin nga qeverisja. As kryetari i Komisionit Evropian, as Komisioneria për Punë të Jashtme, biles as Komisioneri për Zgjerim nuk janë mysafirë në festën tonë kombëtare, edhe pse ne po lusim t’ia dorëzojmë sovranitetin tonë Bashkimit Evropian sa më shpejt. Qeveria shqiptare është e skeduar prej tyre si pjesë e një klubi anti-perëndimor, që i bën karshillëk me partnerët e bezdisshëm të saj siç është kryeministri hungarez, i vetmi kryeministër në festën tonë. As Erdogani nuk na ka ardhur, ndoshta i fyer ngaqë Berisha e quajti vëlla të një gjaku. Por mbi të gjitha është shqetësues se ky dështim, më shumë se sa qeverisë i rëndon imazhit të vendit dhe perceptimit të përgjithshëm se ne jemi një vend i izoluar, për të cilin mungon respekti i Perëndimit. Nuk është se meritojmë më shumë nga Evropa, por nuk meritojmë këtë qeveri që kemi, e cila prodhon bilance të tilla pas 100 vjetësh.
E plotë online: gazetatema.net