“Do the Harlem Shake… Con los terroristas!”. Më e përsëritur se një sur, më i dëgjuar sa një muedin. Në Tunizi, në Kairo, në Beirut. Problemi i ri “internet meme” që në dy muaj ka 40 mijë versione video dhe një miliard klikime ka lënë pas “Gangnam Style”, dhe është duke u bërë më shumë se një kërcim në modë.
Në një diskotekë të Kartagjenës, javën e kaluar pista u mbush me ulërima, kur dixhej vuri “Harlem Shake”. Të njëjtat britma që një muaj më parë kishin sfiduar salafitët përpara një gjimnazi tunizian. Zëra të ngjashme si ato në Egjipt, përpara selisë së Vëllezërve Myslimanë, thërritën të kërcejnë djemtë e vjetër të sheshit Tahrir.
Të ngjashme me ato të tjerat që u dëgjuan në mes të rrugëve të Bejrutit në një manifestim kundër Hezbollahut. “Harlem Shake”, i lindur në vitet ’80, për të lëvizur në liri në shtresat e varfra të Nju Jorkut, i ringjallur në një videoklip, i remiksuar në një këngë Hip Hop, e bërë një video virtuale “Made in Australia”, u transformua tashmë gjithandej në një slogan i protestave rinore. Deri në përhapjen, si një ethe, në sheshet më të nxehta të Lindjes të Mesme.
Realizohet me pak. Vihet maska e “Scream”, vishesh si “Sfungjeri Bob” apo si të të vijë për mbarë. Pastaj kërcen përpjetë, guxohet edhe të bësh “supë pule”, afrohesh ngadalë, përpëlitesh si pijanec. Aq sa duhet për të inatosur trimat dhe të pastrit e Islamit, të cilët kërkojnë më shumë ndëshkime: është një kërcim i turpshëm, lexohet në forumet e tyre, “vajzat fërkohen duke pirë duhan, djemtë stimulojnë në mënyrë kafshërore akte seksuale, është një ftesë për të konsumuar alkool deri në humbjen e vetëdijes, turp, kërcejnë si kafshë kur në Palestinë ka njerëz që vuajnë”.
Kur një grup studentësh të universitetit të gjuhësisë Regueb i Sidi Bou Said vendosi të prodhonte një video të “Harlem Shake” në mes të rrugës, u gjendën të rrethuar nga një grup i vogël salafitësh tunizianë me shkopa dhe molotovë: u desh policia që të shmangej drama, dhe ndërhyri dhe ministri i Edukimit i cili pezulloi studentët, duke provokuar grupe të tëra protestuesish. Disa gjëra nuk i pëlqejnë qeverisë së lindur nga revolucioni, edhe pse në festivalin e Kartagjenës 2012 ishin ndaluar këngët e disa këngëtarve libanezë shumë provokuese (nga ku reagimet e të rinjve: blogerja e cila doli me gjoks jashtë në internet dhe protestat e Femen). Në Kajro nuk ishte shumë ndryshe. Qeveria e Vëllazërisa ka arrestuar katër studentë farmacie të cilët me mbathje kishin dalë në publik duke kërcyer “Harlem Shake”. Katërqind vetë vajtën për të kërcyer në para pallatit të presidentit Mohamed Morsi. Dhe në rrjet menjëherë dolën video me njerëz pa mbathje përpara piramidave, mbi një deve, madje edhe të tre policëve egjiptianë (nuk dihet nëse realë apo falsë) të cilët tundin bythët përpara makinës së shërbimit…
Asnjë nuk di ta shpjegojë pse pikërisht “Harlem Shake”, e cila në fillim ngjante vetëm si fenomeni i radhës, balete të gjithë njësoj të ribërë dhe të postuar nga skuadra basketbolli amerikane, brigada fanterie norvegjeze, rugbistat e Hong Kongut apo yje të “trashur”, si Xhastin Timberleik… Një gazetë libaneze thotë se ka të bëjë me lëvizjet e trupit: simbol i atyre që nuk duan kontroll shoqëror dhe ndaj konsiderohet e përkryer për të rinjtë arabë të cilët dy vjet më pas, ndihen të tradhtuar nga revolucioni i tyre.
Një protestë e të rinjve kundër autoritetit shtetëror. Cilado qoftë ajo: në Rusinë e Putinit pesë djem u arrestuan pas një baleti fyes gjysmë të zhveshur mbi një monumet të Luftës së Dytë Botërore; në Uells, dënim për studentët e një instituti fetar të cilët kërcyen afër një fotografie gjigante të Benediktit XVI… as ushtria më e frikshme e Lindjes së Mesme nuk është e paprekshme nga virusi: dy ushtarë izraelitë pak ditë më parë u shkarkuan pasi kishin kërcyer përqark një topi. Me uniformë me “los terroristas”.