Shkolla e Mesme Ekonomike në Gostivar u vu në qendër të vëmendjes së medieve kur pasditen e së premtes, të paktën 60 nxënës dhe mësues shqiptarë u helmuan teksa zhvillonin mësimin në turnin e dytë. Burimet pranë shkollës raportuan se rreth orës 15:00 gjatë asaj dite, një person i paidentifikuar hodhi në ambientet e saj një lloj gazi helmues që iu shkaktoi nxënësve probleme me frymëmarrjen dhe irritim të jashtëm. Në orët e mesnatës numri i tyre nga 34 që ishin shtruar fillimisht në spital arriti në rreth 60.
Ndërlikime më të rënda për shëndetin patën rreth 14 nxënës të cilët u dërguan në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup. Mesditën e së shtunës burime nga kjo klinikë pohuan se të gjithë nxënësit ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe shumica prej tyre ishin kthyer në shtëpi.
Deklaratat e autoriteteve, që në thelb nuk saktësojnë as nëse bëhet fjalë për një agresion të qëllimshëm apo aksident, i kanë lënë rrugë të lirë spekulimeve midis qytetarëve të irrituar të Gostivarit që besojnë se është një sulm i motivuar etnikisht, meqë të gjithë të lënduarit janë shqiptarë. Dhe nga ana tjetër, ka nxënës, që pohojnë se autori i lëshimit në ambientet e shkollës të një gazi pa ngjyrë e pa erë, mund të jetë njëri prej tyre. Shkaku? Festa e Shën Valentinit dhe dëshira për të mos vazhduar me orët e mësimit. Por, këtë version nuk pranoi ta komentonte zv/ministri i Brendshëm, Zemri Qamili. “Për momentin nuk mund të spekulojmë. Jemi duke punuar për zbardhjen e rastit. Kemi disa persona të dyshuar dhe më vonë do të dalim me të dhëna më konkrete”, sqaroi Qamili.
Zyrtarë të prokurorisë në Gostivar që bashkë me policinë po punojnë për zbardhjen e rastit, pohojnë se me të dhëna më konkrete mund të dalin të dielën. Në këtë proces është përfshirë edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, i cili po heton nëse bëhet fjalë ose jo për helmim. Ndërkaq ekipet policore kanë kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes duke verifikuar kamerat e sigurisë të vendosura në ambientet e shkollës.
Kryeministri Nikolla Gruevski apeloi që të priten rezultatet e të gjitha analizave dhe konstatimeve mjekësore të MPB-së në lidhje me ngjarjen: “E mira është se të gjitha kanë dalë nga spitali dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore pa pasoja të caktuara, por do të apeloj që të priten rezultatet nga të gjitha analizat e mjekëve dhe nënkuptohet konstatimet e Ministrisë së Punëve të Brenshme. Kur të jenë njëqind për qind të gatshme do t’i publikojnë”./Dorina Gjuzi
Agjentura serbe i ka helmuar parelisht me nxitjen e rremujave ne Tirane.