Përfundimet e analizave të reja mbi mostrat e shkëmbinjve hënorë kanë përmbysur teorinë më të besueshme mbi gjenezën e Hënës. Studimi i kryer nga disa shkencëtarë francezë të universitetit “Notre Dame” tregon se sateliti i Tokës dikur ka pasur burime ujore
Deri më tani mendohej se uji i pranishëm në shkëmbinjtë hënorë mund të ishte sjellë nga era diellore ose nga përplasjet e meteorëve dhe kometave me sipërfaqen e Hënës. Por një studim francez i publikuar në revistën “Nature Geoscience” zbulon se uji në satelitin tonë ka ekzistuar edhe para se masat shkëmbore të ngurtësoheshin.
Historia e Hënës duhet të rishkruhet. Teza që u ngrit pas misionit “Apollo 11” të NASA-s në Hënë, në vitin 1969, nuk përkon me rezultatet e studimit më të fundit të disa shkencëtarëve francezë, që kanë analizuar të njëjtat mostra shkëmbore, të cilat më parë ishin studiuar nga astrofizikantët e NASA-s. Grupi i shkencëtarëve nga universiteti “Notre Dame” i udhëhequr nga Hejiu Hui, ka zbuluar se kur Hëna ishte ende shumë e re, në nëntokën e saj kishte ujë.
Deri më tani besohej se uji i pranishëm në masat shkëmbore hënore ishte i pranishëm vetëm në pjesën e jashtme të tyre. Dhe bindja e kërkuesve ishte se ai ishte transportuar aty nga erërat diellore ose ishte krijuar nga impaktet e kometave dhe meteorëve të rënë mbi sipërfaqen e Hënës gjatë kohëve. Gjithashtu, sipas teorisë së vjetër, prania e ujit në satelitin e Tokës është konsideruar si një fenomen i vonë e që përkon me kohën kur korja shkëmbore ishte ngurtësuar plotësisht.
Teoria aktuale mbi origjinën e Hënës është pranuar gjerësisht dhe, në njëfarë mënyrë, deri më sot ishte konsideruar si një kapitull i mbyllur. Edhe studimi i vitit 2011, i publikuar në revistën shkencore “Science”, gjenezën e Hënës e shihte ngushtësisht të lidhur me atë të Tokës. Sipas tij, Hëna ishte formuar nga mbeturina të gjeneruara 3.5 miliardë vite më parë nga një përplasje gjigante midis Tokës në fazën e formësimit të saj dhe një tjetër trupi qiellor me dimensione të ngjashme me ato të planetit Mars. Një tjetër studim i publikuar në të njëjtin vit e mbështeste këtë teori duke treguar se uji i pranishëm në sasi shumë të vogla në gurët hënorë, ka karakteristika gjeokimike të ndryshme nga ato të ujit të Tokës dhe që është sjellë në Hënë nga fenomene të jashtme, si p.sh. nga kometat.
Por kërkuesit francezë vunë re se gjërat nuk duhet të kenë shkuar sipas kësaj rrjedhe. Në fakt, ata zbuluan se kokrrizat e gurëve hënorë përmbajnë sasi shumë të vogla uji, por të mjaftueshme për t’u matur. Për rrjedhojë, ata mendojnë se uji ndodhej në zonat më të brendshme të satelitit edhe në periudhën kur shtresat e jashtme shkëmbore ishin të shkrira, pra më parë se ato të ngurtësoheshin plotësisht.
Përgatiti: Dorina Gjuzi