Tiranë – Marrëdhëniet e tensionuara mes një çifti bashkëshortësh, madje edhe me tre fëmijë të rritur, kanë përfunduar keq mesnatën e së dielës. Teksa është kthyer vonë në shtëpi, Fehmi Brahja, 49 vjeç, nga Sauku, ka nisur të debatojë me bashkëshorten Ridvije Brahja, 43 vjeçe, mësuese, për shkaqe që dyshohet se janë ekonomike, prishja e lekëve dhe “sëmundja” e kumarit. Debati ka kaluar në shkëmbim fyerjesh dhe në sherr e sipër, 49-vjeçari ka bërë litar çarçafin e krevatit dhe ia ka vënë në fyt gruas, duke e mbytur.
Policia e Tiranë konfirmoi ngjarjen që e cilësoi krim në familje dhe si dyshim për vrasje, ndërsa bëri arrestimin rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm të Fehmi Brahjas. Ekspertët konstatuan se në trupin e viktimës kishte edhe shenja dhune, madje edhe në fyt, ndërsa pritet autopsia për të vlerësuar nëse vdekja mund të ketë ardhur edhe pas atakut kardiak që ka pësuar mësuesja, e tronditur nga dhuna që përjetoi. Sipas familjarëve, 43-vjeçarja kurohej edhe për problemet e zemrës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, kjo ngjarje ka qenë pasojë e një konflikti mes dy bashkëshortëve, i cili ka përfunduar me pasoja fatale për 43-vjeçaren. Informacionet e mbledhura çojnë në shkaqet e konfliktit ekonomik, debatet për shkak se i dyshuari qëndronte deri në orët e vona, prishte lekë dhe madje frekuentonte lojërat e fatit. Por grupi hetimor e ka si një nga pistat për motivin e krimit dhe investigimi i ngjarjes po vazhdon më tej me pyetjet e të gjithë dëshmitarëve. Mësohet se në shtëpi ka qenë vetëm një prej djemve të çiftit, 16 vjeç, që është larguar me vrap i terrorizuar nga banesa kur ka parë ngjarjen dhe agresionin e babait.
Fqinj dhe të afërm të 49-vjeçarit Brahja janë shprehur se gruaja i ka mbetur në dorë, pasi vuante nga zemra dhe një atak në zemër mund t’i ketë marrë jetën. Pas kryerjes së krimit, Fehmi Brahja, është arrestuar nga forcat e Komisariatit Nr. 1, pak orë më pas, ndërsa u vetëdorëzua dhe do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por policia u shpreh se “krimi erdhi pas një konflikti me bashkëshorten e tij, të cilën dyshohet se ka vrarë duke e mbytur me një çarçaf”.