Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi. Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, ka konfirmuar për Express arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, që i hap rrugë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Marrëveshja është arritur”, ka thënë Çollaku. Edhe ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Çitaku është shprehur në anglisht: “And the white smoke is out! Habemus pactum! Happy”, në shqip: Doli tym i bardhë, kemi marrëveshjen. Të lumtur!”.
Marrëveshja
Gazeta “Koha Ditore” ka siguruar planin prej 15 pikash që baronesha Ashton u ka propozuar palëve. Pavarësisht lajmit për arritjen e marrëveshjes nuk është ende i qartë mënyra se si është kapërcyer kontestimi i palës serbe në lidhje me pikën 14 të marrëveshjes. Këto janë elementet kryesore të këtyre 15 pikave të marrëveshjes.
1: “Bashkësi/Asociacion” të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, e hapur edhe ndaj komunave të tjera, nëse anëtarët pajtohen.
2: “Bashkësia/Asociacioni” do të formohet me statut.
3: Strukturat do të formohen sipas të njëjtës bazë sikur edhe rajonet ekzistuese në Kosovë.
4: Kompetencat që do të jenë sipas Kartës evropiane të vetëqeverisjes lokale dhe sipas ligjeve të Kosovës.
5: “Bashkësia/Asociacioni” do të ushtrojë kompetenca shtesë ashtu siç i jep autoriteti qendror.
6: “Bashkësia/Asociacioni” do të ketë një rol përfaqësues në autoritetin qendror dhe do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativë të komuniteteve.
7: Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore, e cila do të quhet “Policia e Kosovës”.
8: Pika tetë sqaron se “e tërë policia në veri të Kosovës do të jetë e integruar në kornizën e Policisë së Kosovës” dhe se rrogat e policëve do të jenë vetëm nga Policia e Kosovës. Anëtarëve të strukturave të tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohen pozita përkatëse në strukturat e Kosovës.
9: Për pikën e nëntë ka pasur më së shumti dallime deri me tash. Sipas propozimit në tavolinë në këtë pikë saktësohet se do të ketë një post të komandantit rajonal për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe ai do të jetë serb i Kosovës i zgjedhur nga Ministria e Brendshme e Kosovës nga një listë,të cilët do ta paraqesin katër kryetarët e komunave në emër të “Bashkësisë/Asociacionit”, përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë strukturën etnike.
10: Sipas marrëveshjes së propozuar “autoritetet gjyqësore do të integrohen dhe punojnë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit nga Prishtina do të themelojë një panel të përbërë nga gjykatësit serbë të Kosovës, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe. Një njësi e kësaj Gjykate të Apelit do ta ketë selinë në pjesën veriore të Mitrovicës.
11: Zgjedhjet lokale në vitin 2013 do të zhvillohen me lehtësimin e OSBE-së dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.
12: Kjo pikë flet për përpilimin e një plani të implementimit, i cili do të përmbante afate të sakta kohore, e që do të përpilohej deri me 26 prill. Në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të bëhej kujdes edhe për transparencën e fondeve.
13: Sipas pikës 13 palët do të duhej të arrinin marrëveshje për energji dhe Telekom para mesit të muajit qershor po të këtij viti.
14: Kjo pikë është më kontestuese në këtë moment, për të cilën Serbia edhe e ka refuzuar propozimin e fundit, që flet për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Sipas formulimit të tashëm kjo pikë thotë se palët pajtohen se asnjëra nuk do të bllokojë palën tjetër, apo të inkurajojë të tjerë që të bllokojnë kërkesat për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare. Burimet diplomatike pohojnë se do të ketë përpjekje dhe presion që kjo pikë të riformulohet dhe të flet për mosbllokimin e palëve në procesin e integrimeve evropiane.
15: Pika e fundit e propozim-marrëveshjes thotë se do të themelohet një komision implementues nga të dyja palët me një lehtësim të Bashkimit Evropian.
***
NATO: Marrëveshja të pranohet nga të gjithë
Aleanca është e lumtur që arriti të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve”,-shprehet Sekretari i Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen. Në një komunikatë për shtyp, Rasmussen shkruan se procesi i negociatave ka qenë i gjatë, por përfundoi me sukses. “Ka pasur raste kur ka qenë e vështirë, por të gjithë liderët e përfshirë në to janë ngritur përtej vështirësive. Nga ana e saj, NATO-ja do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurtë në gjithë Kosovën. NATO-ja dhe në veçanti KFOR-i, janë të gatshëm që të ndihmojnë zbatimin e marrëveshjes së fundit, brenda mandatit tonë”,-ka thënë Rasmussen, duke shtuar se e gjithë bashkësia ndërkombëtare do ta njohë atë që është arritur në Bruksel.
***
Fule: Ditë historike për Kosovën e Serbinë
Komisioneri europian për zgjerim Stefan Fule ka uruar delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit për marrëveshjen e arritur në parim në Bruksel, duke thënë se kjo shënon një ditë historike në raportet Kosovë-Serbi, dhe për gjithë rajonin. Në një komunikatë për shtyp nga zyra e tij, Fule ka uruar dy kryeministrat, për kurajon dhe përkushtimin e tyre gjatë negociatave.
“Të dy liderët është dashur të gjejnë kompromise, të cilat nuk do të ishin kurrë ideale për asnjëherë palë. Kjo qasje konsensuale do t’i ndihmojë të dy shtetet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Kështu funksionon Bashkimi Europian”,-tha ai. Në vazhdim të komunikatës thuhet se se komisioneri për zgjerim ka nisur punën me shefen e diplomacisë europiane Catherine Ashton për të finalizuar rekomandimet që do t’i dërgohen Këshillit të Ministrave të hënën.
“Tani është me rëndësi që liderët politikë dhe në përgjithësi opinioni publik, si në Serbi dhe Kosovë, të mbështesë marrëveshjen dhe ndihmojë në zbatimin e saj. Është në interes të të gjitha palëve të përfshira, të popullit që jeton në Kosovë dhe atyre në Serbi, por edhe rajonit në tërësi”,-përfundon komunikata e Fules.
***
Barroso: Marrëveshja të zbatohet sa më parë
Marrëveshja e arritur është një akt historik, që tani duhet të zbatohet sa më parë. Kështu thotë presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, në deklaratën për shtyp, ku përshëndet paktin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. “Jam i bindur se do të hapë rrugën që Këshilli të merr vendimet për hapat e Serbisë dhe Kosovës në integrimet europiane. Populli i Serbisë dhe Kosovës dëshiron që të ecë përpara, dhe të shohin perspektivën e tyre europiane në realitet. Kjo gjë është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës Juglindore dhe të Bashkimit Europian si tërësi”,-ka thënë ai, duke shtuar se marrëveshja duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur.