Trupi i pajetë i kryekomisarit Dritan Lamaj është vendosur sot në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku kolegë, miq dhe zyrtarë të lartë të shtetit i kanë bërë atij homazhet e fundit. Kreu i PS-së, Edi Rama, tha se policia po rrënohet dita-ditës dhe fajtor për këtë është vetë shteti.
“Policia po rrënohet dita-ditës dhe përkushtimi dhe heroizmi i atyre shqiptarëve që me uniformën e policisë që bëjmë gjithçka për t’i shërbyer shtetit është i pamjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përgjegjshme dhe një shtet që është i vetëdijshëm për atë që duhet bërë dhe mbi të gjitha për lirinë dhe të drejtat e njeriut për të jetuar i qetë. Çdo ditë ka vrasje, çdo ditë ka dhunë dhe konflikte dhe në mënyrë sistematike po vriten komisarët e policisë. Atyre që guxojnë dhe thonë që opozita përdor politikisht këto vrasje, u themi se është pushteti dhe politika e dështuar e pushtetit përgjegjëse për këto që ndodhin”, tha Rama.
Ndërsa kryeministri Berisha u shpreh se autorët e vrasjes së Lamajt do të marrin ndëshkimin e merituar.
“Erdha për të shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj, njëri nga oficerët e shquar të policisë së shtetit shqiptar. Ky akt kriminal, barbar do marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Do mobilizojmë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe rreptësinë e ligjit”, tha kryeministri.
Dritan Lamaj u vra për shkak të detyrës
Në një njoftim zyrtar, policia e Tiranës bën të ditur se vrasja e Lamajt është kryer për shkak të detyrës.
“Dje rreth orës 18.20’ pranë zonës “Vasil Shanto” është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë Kryekomisar Dritan Lamaj, 41 vjeç, me banim në Tiranë.
Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë, strukturat për krimet e rënda të Policisë së Shtetit, u formua një grup i posaçëm hetimor, të cilët kryen veprimet e para procedurale duke mbledhur dhe administruar të gjitha provat e vlefshme.
Nga grupi hetimor në përbërje të të cilit janë oficerët për hetimin e krimeve të renda, Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe Ekspertë kriminalist, nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara është arritur në konkluzionin se vrasja e kryekomisar Dritan Lamaj, është kryer nga autorët, për shkak të detyrës si punonjës policie”, thuhet në njoftimin e policisë.