Lorik Cana ishte përsëri titullar i Lacios, në ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Fiorentinës, por skuadra e tij u mund 2-0 në shtëpi. Kapiteni kuqezi ka pasur një paraqitje të mirë, megjithatë nuk ka qenë e mjaftueshme për të “vulosur” prapavijën përballë sulmit vjollcë. Humbja është edhe më e rëndë, duke pasur parasysh se luhej përballë një rivali direkt për kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm. Cana ka fajësuar kalendarin e ngjeshur, duke pasur parasysh edhe ndeshjen e së enjtes, në Shtutgart, për Europa League, ku Lacio fitoi me të njëjtat shifra. “Në ndeshje si kjo ndikon përherë ndeshja e zhvilluar të enjten, si fizikisht, ashtu dhe mendërisht”, tha Cana. “Kur luan çdo tri ditë duhet të jesh akoma më i fortë në mendje. Nuk kemi qenë shumë të fortë, por dhamë gjithçka, luftuam, vrapuam, por nuk shkoi sipas dëshirës sonë. Sigurisht, kur kundërshtari është shumë mirë i organizuar, siç ishte Fiorentina, çdo gjë vështirësohet. E kishin përgatitur ndeshjen shumë mirë dhe kanë shfrytëzuar mundësitë e pakta që u janë krijuar. Kjo tregon se duhet të jemi më të vëmendshëm. Duhet një Lacio gjithmonë në 100 për qind për të arritur rezultatet pozitive”.