Të dënuarit ishin të përfshirë në rrjete të gjera neo-naziste dhe esktremiste të djathta në Hungari.
Ai e dinte se disa romë i kishin vrarë, por sikurse i kishte thënë së shoqes mendonte se ata mund t’i kishin dikujt borxhe. Ai besonte se atij dhe të shoqes nuk mund t’u ndodhte kurrë një gjë e tillë, sepse ata s’i kishin bërë kurrë keq njeriu. Ai punonte prej 28 vjetësh në një fabrikë farmaceutike dhe s’kishte munguar as një ditë të vetme në punë.
Por Jeno Kokan e vranë para derës së shtëpisë mbrëmjen e 22 prillit 2009 në Tiszalëk, një fshat në lindje të Hungarisë, kur po nisej për turnin e natës. Vrasësi kishte përdorur një pushkë me dylbi dhe e qëlloi direkt në zemër. Jeno Koka qe 54 vjeç. Ai ishte viktima e pestë e vrasësve ekstremistë të djathtë që në periudhën 2008/2009 vranë në Hungari, gjashtë romë, përfshirë edhe një djalë katër vjeçar, dhe plagosën 55 vetë, pothuajse të gjithë romë.
Pasi katër vrasësit e dyshuar u arrestuan në gusht të vitit 2009 pas peripecive të shumta, në pranverën e vitit 2010 filloi gjyqi kundër tyre. Pas pothuajse 180 ditësh gjykimi tani (6.8.2013) u dha vendimi i shkallës së parë. Tre prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm. Avokatët e tyre njoftuan se do të ankohen për vendimin. I akuzuari i katërt u dënua me 13 vjet burg si bashkëpunëtor.
Të pandehurit i mohuan veprat e tyre deri në fund, por nuk kishte aspak dyshime se ata ishin fajtorë. Me anë të provave të ADN-së qe përcaktuar që ata ishin në vendngjarje dhe kishin qëlluar, tha gjykatësi duke lexuar vendimin.
“Masa e dënimit është tërësisht e përshtatshme për këto vepra penale” tha aktivisti për të drejtat e romëve dhe vëzhguesi i procesit Aladar Horvath. Për fat të keq thotë ai “i papërshtatshëm është klasifikimi i krimeve si vrasje nisur nga motiveve të ulta.” Në aktakuzë shkruhej që vrasësit donin të ndiznin një luftë civile. “Ata duhet të akuzoheshin për krime kundër njerëzimit dhe terrorizëm me qëllim të gjenocidit”. – mendon Aladar Horvath.
Vërtet katër të dënuarit nuk janë vrarës të izoluar në skenën e ekstremiste të djathtë. Ata ishin të përfshirë në rrjete të gjera neo-naziste dhe esktremiste të djathta në qytetin lindor hungarez Debrecen, ku dhe u arrestuan në gusht 2009. Pas arrestimit ata thanë në intervista se ishin pararojë e një lëvizjeje që kishte si qëllim “zgjidhjen e problemit të ciganëve” në Hungari.
Në rast se organet hungareze të hetimit do ta kishin marrë seriozisht që pas rastit të parë të vdekjes faktin se kishim të bënim me vrasje me sfond ekstremist të djathtë, disa prek vrasjeve të mëvonshme mund të ishin parandaluar. Ajo që të bie në sy janë paralelizmat me vrasjet e NSU-së në Gjermani. Një tjetër i pandehur ishte ende gjatë vrasjeve informator i Shërbimit sekret ushtarak. Por deri sot Shërbimi sekret i Hungarisë hesht në lidhje me rolin e tij në këto vrasje.
E veja e Jeno Kokas shpreson se vrasësit do të qëndrojnë deri në fund të jetës në burg. Vendimi nuk e ngushëllon Eva Kokan. Pas vrasjes së burrit të saj, ajo nuk ishte në gjendje për të punuar dhe hoqi dorë nga puna në një fabrikë druri ku punonte prej 22 vjetësh. Asnjë përfaqësues i shtetit nuk i ka dhënë kurrë dorën asaj apo i ka thënë ndonjë fjalë keqardhjeje. Gjithashtu ajo nuk ka marrë as ndihmën e qeverisë për vejushat. Ajo jeton me vajzën e saj dhe merr rreth 100 euro pension mujor. Avokati i saj László Helmeczy e mbështet financiarisht, ai i pagoi asaj edhe udhëtimin për në Budapest për të marrë pjesë në shpalljen e dënimeve. “Vrasësit nuk kanë vrarë vetëm burrin tim,” thotë Eva Koka. “Ata më kanë shkatërruar edhe mua”.