Të nderuar Stafi drejtues i gazetës DITA! Unë që po ju shkruaj këtë letër jam një qytetar këtu në Bathore, në Bashkinë Kamëz, Ali Gjoni, i ardhur nga zona verilindore e Librazhdit, një nga fshatrat më të thella dhe më të varfra të këtij rrethi. Erdhëm këtu në Tiranë për një jetë më të mirë, ashtu si gjithë të ardhurit e tjerë nga zona e veriut të Shqipërisë. E nderuara Gazeta DITA! Ju jeni e vetmja gazetë që më hapni derën për të qarë hallet që kemi në këtë shtet. Çdo gjë mund të quhet, vetëm shtet ligjor jo. Unë që po ju shkruaj përfitoj ndihmë ekonomike vetëm kur ka zgjedhje, pra 1 herë në 4 vjet. Atëhere pyet qeveria për ne, na fut në skemën për ndihmë ekonomike.
Sapo mbarojnë zgjedhjet vijmë këtu në komunë për të bërë letrat për muajt në vazhdim. Këto punonjësit na thonë që nuk ju takon se nuk keni paguar taksat vjetore, jeni të ardhur. Si ka mundësi që në muajin qershor e morëm asistencën, ishim të varfër, kurse tani në korrik jemi të pasur? A thua ata që marrin ndihmë ekonomike janë me MALIQIN? Kurse ne të tjerëve na tregojnë ligjet.
Këtu mua më duket se duhet të kesh një mik ose të antarësohesh në parti, t’i mbushim xhepat me tesera partie edhe sipas nevojës i nxjerrim. Ç’bëhet kështu, jetojmë në shekullin 21! A thua jemi tepër në këtë vend?! Ky ishte mendimi im për këtë problem. Dhe i bëj apel mazhorancës së re që këto probleme t’i shikojë për të çuar çdo gjë në vendin e vet. Të dominojë vetëm ligji që ne të marrim frymë lirisht. Jo i pasuri të ushqejë qenin me mish kurse i varfri të vuajë për bukën e gojës. Me respekte, Ali Gjoni.
Letër e nënshkruar: Ali Gjoni