Instituti Demokratik Amerikan (NDI) rekomandon që politikanët shqiptarë të komunikojnë përmes debatesh, zgjedhjet të jenë një betejë idesh dhe jo njerëzish, dhe partitë të mos premtojnë përfitime materiale në këmbim të votës, qoftë edhe vende pune.
Ndërsa ka prezantuar raportin paraprak për situatën parazgjedhore në Shqipëri, NDI thekson se krerët e partive duhet të ruajnë edhe me vepra pavarësinë e KQZ.
Gjithashtu NDI, në raportin e saj kërkon listat e zgjedhësve të jenë të sakta dhe teknologjia të bëhet në mënyrë transparente.
Kreu i delegacionit të NDI (Institutit Demokratik Amerikan), guvernatori Howard Dean e ka cilësuar si të polarizuar situatën parazgjedhore në Shqipëri, raporton Ora News.
Ndërsa e ka cilësuar si të mirë ligjin për zgjedhjet, guvernatori Dean theksoi se të gjitha partitë politike duhet të respektojnë me rigorozitet kodin zgjedhor.
“Shqipëria është një vend i polarizuar dhe kjo shihet sidomos për dy partitë e mëdha. Por pavarësisht polarizimit, mos harroni të kujtoni se Shqipëria ka bërë shumë arritje. Nga takimet që kemi pasur, kemi konstatuar cinizëm të thellë në politikë, që duhet tejkaluar. Sjelljet e udhëheqësve politikë duhet të jenë sa më të civilizuara. Partitë kanë miratuar një ligj të mirë zgjedhor, kanë përgjegjësi për zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet të respektohet Kodi Zgjedhor të miratuar me konsensus nga partitë. Më 23 qershor duhen zgjedhje të lira e të drejta, partitë të sigurohen që çdo shqiptar të dalë të votojë”, theksoi Dean.
Ndërsa në fjalën e tij, Robert Benjamin është shprehur se shqiptarët duan që zgjedhja e tyre në votimin e 23 qershorit të respektohet.
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për shqiptarët pasi do të zgjidhen ata që do t’i qeverisin. Shqiptarët do të duan të shohin që zgjedhja e tyre do të respektohet në këtë proces”, ka theksuar Benjamin.
Misioni i NDI ka qenë në Shqipëri në datat 18-22 mars ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit, drejtues të KQZ-së, partive politike, dhe shoqërisë civile.
Delegacioni i NDI përbëhet nga Guvernatori Howard Dean, ish-Kryetar i Komitetit Kombëtar të Demokratëve në SHBA, znj. Ellen Weintraub, Kryetare e Komisionit Zgjedhor Federal të SHBA-së, Lousewies Van der Laan, zv. Presidente e Aleancës Demokratike Liberale Europiane si dhe Robert Benjamin dhe Ana Kadovic nga NDI.