Tani kuptohet pse portier i kombëtares shqiptare ka refuzuar Kievon. Ai pritet të mbrojë portën e një ekipi me emër si Lacio. Këtë fakt e drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare. Ky i fundit ka deklaruar dje se dëshira e portierit Etrit Berisha është që të veshë fanellën e Lacios. Drejtori sportiv i klubit bardhekaltër shprehet se po punon që kjo dëshirë e gardianit kuqezi të realizohet. “Portieri Bizarri kërkon që të nisë një eksperiencë tjetër dhe ne po përpiqemi që ta realizojmë atë. Vendin e tij do ta zërë Berisha, i cili e kërkon ta veshë këtë fanellë”, tha drejtuesi lacial. Problemi për kalimin e portierit ka të bëjë me marrjen e tij të pasaportës suedeze. Tek Lacio nuk ka më vend për ekstrakomunitarët dhe portierit të përfaqësueses shqiptare i bën punë kjo pasaportë, pasi ai nuk konsiderohet i huaj. Për këtë arsye, kalimi i tij është i bllokuar. Ditën e djeshme, ekipi i Kievo Veronës lajmëroi se kishte arritur marrëveshjen me futbollistin, por ky i fundit reagoi dhe sqaroi se asgjë nuk ishte e vërtetë.
Menaxheri
Në lidhje me lajmin për kalimin e gardianit tek Kievo, çështjen e ka sqaruar menaxheri i tij Eljver Raca. “Berisha nuk ka arritur asnjë marrëveshje. Lacioja me siguri e do dhe mendoj se në fund ai ka për të shkuar aty. Sa i përket kalimit tek Kievo, asgjë nuk është e vlefshme. Dhe kjo sepse klienti im është në kontratë me Kalmarin dhe se unë nuk kam qenë prezent kur është firmosur kjo kontratë dhe nuk kishte një përkthyes profesionist, duke pasur parasysh që Berisha nuk e flet as italishten dhe as anglishten. Pra klienit im është manipuluar nga përfaqësuesit e Kievos”, tha menaxheri Raca.
Merkatoja e Lacios
Tare më pas ka sqaruar tifozët lacialë sa i përket një emri të ri që pritet të afrohet, Pereas. “Nuk ekziston asnjë çështje në lidhje me sulmuesin, ai do të vijë pas disa ditësh. Më pas, futbolli është i paparashikueshëm, por Lacioja nuk do të shesë emrat e mëdhenj të tij”, sqaron Tare që më pas tregon edhe qëndrimin e klubit sa i përket çështjes Hernanes. “Ai është i lumtur që do të qëndrojë tek Lacioja, nuk ka kërkuar asnjëherë që të lihet i lirë”. Në fund foli edhe për mundësinë e rinovimit të Petkoviçit, kontrata e të cilit mbaron në qershorin e 2014. “Ne nuk jemi takuar ende për rinovimin e kontratës, por kemi bërë një pakt”.
Kërkesat për Berishën
Interesim për portierin e Shqipërisë ka edhe nga klubi i Fiorentinës dhe ai i Monakosë. Paraqitjet e tij të mira me përfaqësuesen dhe me Kalmarin, kanë bërë që kërkesat për të të shtohen. Përfaqësuesit e Monakosë e kanë ndjekur gardianin në takimin e kaluar në Suedi, ndërkohë që pritet që të bëjnë një ofertë zyrtare për lojtarin shumë shpejt.