Nuk ka asgjë për të festuar. E kam thënë këtë kur kam qenë në krye të opozitës e them këtë po njësoj sot, në krye të qeverisë.
S’ka dyshim se lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentet e integrimit evropian në vend të shamive të valles, ka mbaruar në 23 qershor.
Dhe besojeni që edhe ditën kur Shqipëria do të marrë vetë statusin e vendit kandidat, qoftë në dimër a qoftë në pranverë, as mua s’do më dëgjoni të flas për fitore as qeverinë s’do ta shihni në ndonjë tribunë mitingu festiv me paratë e taksapaguesve.
Ka mbaruar në 23 qershor edhe koha e mitingjeve qeveritare me këngëtarë të paguar nga shteti për t’i paraprirë daljes të kryeministrit liberator.
S’ka dyshim se në 23 qershor ka mbaruar edhe koha e qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian. Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të treguar asnjë lloj superioriteti moral apo patriotik ndaj opozitës apo, për të mos njohur arritjet e qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit.
Ky proces shumëvjeçar drejt anëtarësimit ka qenë për çdo vend më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe në çdo vend, kush më shumë e kush më pak, ka pasur meritat e veta.
Edhe Shqipëria s’ka si të jetë ndryshe dhe sot ka vetëm një ndryshim:
Që ndryshe nga qeveria e mëparshme, ne as gjejmë sot rastin për t’u vetëlëvduar dhe as do të na dëgjoni sot apo mot të shajmë opozitën për ta ndarë popullin në të mirë e në të këqij apo për t’i ndarë palët palët në partizanët e Brukselit dhe në diversantët e SHQUP-it.
Shkurt, ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Evropian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndjehet i inkurajuar.
Propozimi për statusin vjen më në fund pa “litar përjashta” dhe tanimë është e qartë se zgjedhjet e 23 qershorit ishin de facto kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar, sikundër ne e lexojmë qartë atë që nuk donin të lexonin paraardhësit tanë vjet, kur bëhet fjalë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si diçka e vetëkuptueshme bashkëlidhur me propozimin për statusin.
Risia e madhe e kësaj here, është se për herë të parë Raporti i Progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore – me të cilat ne jemi 100% dakord. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës, liritë dhe të drejtat themelore.
Me vjen sinqerisht mirë që Raporti i Progresit e nënvizon frymën gjithëpërfshirëse në vijën e sjelljes së shumicës sonë qeverisëse dhe me bindjen se kjo është e vetmja vijë evropiane sjelljeje me opozitën dhe me publikun në tërësi, ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar qoftë në Kuvend dhe qoftë si qeveri që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare.
S’ka dyshim se më vjen mirë po ashtu që Raporti i Progresit flet qartë edhe për aktin normativ që nesër i paraqitet Kuvendit dhe besoj se çka shkruhet në raport lidhur me këtë, mund të jetë një pikë shumë e besueshme referimi për opozitën që të reflektojë mbi mundësinë e votimit të aktit normativ.
Në fund, por jo për nga rëndësia, dua të falenderoj shumë përzemërsisht, Ambasadorin Sequi për gjithçka bën, respekti dhe admirimi im për punën dhe për përkushtimin e tij është fakt i njohur botërisht. Por, sot, është dita për ta falenderuar, sepse sot është dita më e shënuar në raportet vjetore mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.
Falenderoj, gjithashtu, Komisionerin Stefan Fule dhe gjithë skuadrën e zgjerimit që është marrë me hartimin e këtij raporti, ku krahas propozimit për statusin dhe përmendjes së mundësisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ne mund të shohim si në një pasqyrë besnike mangësitë, dobësitë, problemet për t’u zgjidhur, që sot e gjithë ditën e mbajnë Shqipërinë ende larg Bashkimit Evropian. Pikërisht, për këto na duhet Raporti i Progresit, jo për të ushqyer propagandën e sukseseve imagjinare. Edhe propaganda e sukseseve imagjinare ka mbaruar në 23 qershor.”
1 Comment
o zoti kryeminister ik ne bashki e falendero kryetarin e pd per kete ndere qe ju beri , do maresh statusin e kandidatit per ne be, dhurat me te bukur ska per nje kundershtar politik ti vetem ik e mere kaq bej ti hahahahaha pika qe si bie lulit sales e te gjith pd