Infeksionet e veshit janë një problem i shpeshtë që hasen tek fëmijët e vegjël gjatë stinës së dimrit. Dhimbja e shkaktuar nga infeksionet e veshit të cilat përsëriten disa herë gjatë ditëve të ftohta vjen duke u shoqëruar me dhimbje gjithnjë e më të mëdha. Ndërkohë që një ndër teoritë e gabuara është përdorimi në çdo rast i antibiotikëve, si kura trajtimi. Në studimin e kryer me temë “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, mjeku Peter Dadamo sqaron se nuk duhet të shohim përdorimin e barnave si mundësia e vetme e pakësimit të dhimbjeve. Duke iu referuar rastit të përsëritjes së vazhdueshme të dhimbjeve të shkaktuara nga infeksionet në vesh Dadamo sqaron se zgjidhja më e mirë do të ishte besimi tek dieta e grupit të gjakut.
Episodet e përsëritura të infeksioneve në veshin e fëmijës
Në studimin e tij, Dadamo thotë se fëmijët nën 10 vjeç shfaqin për një kohë të gjatë infeksione në vesh. Konkretisht një fëmijë mund të kalojë 5 deri në 10 infeksione të veshit njëra pas tjetrës çdo dimër. Shumica e tyre cilësohen si alergji ndaj substancave të ambientit dhe të ushqimit përreth. Edhe në këtë rast zgjidhja më e mirë është dieta e grupit të gjakut. Kurimi i zakonshëm që bëhet për infeksionet në vesh ka të bëjë me përdorimin e antibiotikut. Por, ku kurim nuk shoqërohet me rezultatet e duhura nëse bëhet fjalë për një infeksion që vazhdon gjatë. Në të tilla raste është më mirë që të analizojmë shkakun nga se ka ardhur komplikacion, e jo të vrapojmë drejt marrjes së barnave dhe antibiotikëve qetësues.
Problemet që shfaqen tek fëmijët me grupin e gjakut A dhe AB
Fëmijët e grupeve A dhe AB kanë probleme më të mëdha sa i takon mukusit për shkak të ushqimit të papërshtatshëm, gjë që është një nga faktorët kryesorë që çon në shfaqjen e infeksionit. Në fëmijët e grupit A fajin zakonisht e kanë prodhimet e qumështit, ndërsa tek grupi AB ndikon përdorimi i misrit të ëmbël, përveç qumështit. Në përgjithësi këta fëmijë kanë më shumë mundësi që të shfaqin probleme të fytit dhe të sistemit të frymëmarrjes, të cilat shpesh kalojnë edhe në vesh. Meqenëse sistemi imunitar i fëmijëve të grupit A dhe AB është i aftë që të përballojë një sërë mikrobesh, disa nga problemet e tyre shtohen për shkak të mungesës së agresivitetit ndaj infeksionit. Shumë studime kanë treguar se materiali i marrë në vesh të fëmijës dhe i analizuar tregon që ka mungesë të theksuar të elementëve që janë të nevojshme për luftimin dhe shkatërrimin e këtyrë infeksioneve.
Po më tej nga studimet është konstatuar se një lektinë (ngjitës i keq), që gjendet në gjak, “manozi” mungon në materialin e marrë në veshin e fëmijës që ka infeksion të përsëritur. Kjo lektinë bën ngjitjen e baktereve ndërmjet tyre duke ndihmuar kështu dhe në largimin e tyre nga organizmi. Që të dy këta faktorë të rëndësishëm të imunitetit zhvillohen më vonë në sasi të mjaftueshme, çka tregohet me faktin se me rritjen e fëmijës pakësohet edhe mundësia e krijimit të infeksioneve në vesh.
Bima dhe vitamina C që forcojnë imunitetin
Përveç ushqimit kurimi i fëmijëve të grupit A dhe AB nga infeksionet e veshit, gjithnjë duhet të shoqërohet me përpjekjen për të forcuar imunitetin. Mundësia më e mirë që të forcohet imuniteti tek fëmijët është që të ulet sasia e sheqerit që ha. Shumë studime kanë treguar që sheqeri e shtyp sistemin imunitar dhe i bën rruazat e bardha më të plogështa. Mjekët kanë kohë që po përdorin një bimë mjekësore, e cila forcon imunitetin. Konkretisht bëhet fjalë për “Chinacea purpurea”, e cila ka rol të veçantë në forcimin e imunitetit, për luftën që duhet të bëjë organizmi ndaj baktereve dhe viruseve të ndryshme. Së bashku me të jepet edhe një shtesë e vitaminës C, e cila fuqizon veprimin e bimës mjekësore.
Ja pse antibiotikët nuk ndihmojnë kurimin e këtyre infeksioneve
Shumë prindër kanë vërejtur se përdorimi i antibiotikëve bëhet gjithnjë dhe më i dobët në luftën kundër infeksioneve të veshit që shfaqen tek fëmijët. Kjo për një arsye të qartë. Infeksioni i parë kurohet zakonisht me një antibiotike të butë, si “amoxicillin”, e cila jepet përsëri edhe në shfaqjen e infeksionit të dytë. Herën tjetër infeksioni rivjen në një formë më ekstreme dhe antibiotiku nuk vepron me efikasitet mbi të. Në këtë formë fillon fenomeni i shkallëzimit duke përdorur antibiotikë gjithnjë e më të fortë. Kur antibiotikët nuk kanë më efekte, ndërkohë që dhimbjet vazhdojnë mjekët janë të detyruar që të përfundojnë drejt ndërhyrjeve mikro-kirurgjikale, për kullimin e veshit. Kur kemi të bëjmë me infeksione të vazhdueshmë duhet të përpiqemi gjithmonë që t’i shpëtojmë përdorimit të antibiotikëve.
Zgjidhja nëpërmjet ushqimit
Është e pavlefshme që të trajtosh shfaqjen e parë të infeksionit me një dozë antibiotikësh, teksa brenda organizmit po nis zhvillimi i një infeksioni të dytë. Zgjidhja duhet të ndalet tek ushqimi. Çdo fëmijë mund të preket nga infeksionet në vesh veçanërisht nëse merr ushqim që shkakton reaksion të keq në organizmin e tij. Fëmijët e grupeve B dhe 0 kanë më pak infeksion dhe zakonisht kur shfaqet tek ata e kalojnë më lehtë. Në të shumtën e rasteve një ndryshim në ushqim është i mjaftueshëm për të luftuar këtë infeksion. Zgjedhja dietetike në këtë rast është që të kufizohet konsumi i domateve, misri i ëmbël dhe mishi i pulës. Lektinat e këtyre ushqimeve veprojnë me sipërfaqen e sistemit tretës duke shkaktuar ënjtje dhe sekretim të mukusit, të cilat më pas kalojnë në fyt dhe më pas në vesh duke shpërthyer në formën e një infeksioni. Gjithashtu përvoja ka treguar se fëmijët e grupit 0 mund të mos preken nga infeksionet nëse ushqehen me qumësht gjiri dhe jo me biberon. Ushqimi me qumësht gjiri për të paktën një vit e ndihmon fëmijën që të ketë sistem imunitar dhe tretës më të fortë, e për rrjedhojë edhe më pak të ndjeshëm ndaj infeksioneve të veshit.