Shërbimi që infermierët ofrojnë ndaj pacientit lë shumë për të dëshiruar. Shqetësimi vjen nga drejtuesit e Urdhrit të Infermierit, të cilën kanë vënë në dukje se tashmë shkeljet nuk shfaqen vetëm në mungesën e njohurive profesionale, por edhe në braktisjen e vendit të punës gjatë orarit zyrtar, në sjelljen e gabuar me pacientët, mosmbajtjen e bluzave të bardha në vendet e punës, si dhe në shumë problematika të tjera. Presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi bën me dije se të shumta kanë qenë edhe ankesat e bëra nga vetë pacientët sa i takon vështirësive të hasura në marrjen e shërbimeve mjekësore në institucionet spitalore.
Pas ankesave të bëra, Skënderi pohon se tashmë po kryhen një sërë kontrollesh në të gjitha strukturat shëndetësore të vendit, si në rrjetin spitalor ashtu edhe në qendrat shëndetësore. Mjaft problematike sipas tij mbetet edhe kujdesi për pacientin, për të cilën janë konstatuar shkelje të shumta. Ndër më të shpeshtat është mosrespektimi i procedurës së punës për vendosjen dhe ndjekjen e zhvillimit të serumit, duke u shndërruar kështu në burim infeksioni për pacientët e tjerë që ndodhen në të njëjtën dhomë. “Kemi gjetur shkelje në moszbatim të detyrave të veta, duke mos qëndruar 24 orë në 24 orë tek koka e pacientit nëpër institucionet me shtretër.
Ka pasur raste që kemi gjetur serumin të vendosur dhe më pas infermierja është larguar dhe serumin e kanë hequr familjarët ose vet pacienti. I kemi gjetur serumet e varura që mund të japin infeksion në ambientin ku qëndrojnë të sëmurët e tjerë. Gjatë vitit të kaluar duke llogaritur të gjitha shkeljet, qoftë ato për uniformën, për komunikimin, shkeljet e ligjit duke mos u regjistruar në kohë për licencën, disa për braktisje pune, disa të tjerë për marrje ryshfeti, disa për shërbim të pa kujdesshëm ndaj pacientit, janë ndëshkuar rreth 170 pjesëtarë të këtij personeli infermieror”, ka deklaruar Sabri Skënderi. Sipas tij, kontrollet për këto problematika do të vijojnë më tej, teksa rezultatet e plota të ndëshkimeve do të bëhen të ditura në përfundim të monitorimit që po kryhet.
Skënderi shton se më të rrepta kontrollet do të jenë në respektimin e kodit të etikës. Kjo veçanërisht në rrethe, ku është vënë re një problematikë edhe më e rënduar. Fshatrat janë më keq në këtë drejtim, pasi nuk janë të pakta rastet e konstatuara në të cilat infermierët e fshatrave, në pjesën dërrmuese të kohës nuk parqiten në punë, duke munguar gjatë gjithë javës duke mos ofruar shërbim ndaj popullatës.
Për të ndrequr këtë problematikë gjatë gjithë vitit që vjen ky urdhër në vazhdimësi, do të vijojë të punojë përmes edukimit të vazhdueshëm për përmirësimin e kujdeseve infermierore. Për të realizuar këtë gjë është hartuar edhe një plan i posaçëm edukimi. Kështu në gjitha rrethet, do të zhvillohen seminare përkatëse me tema dhe sipas nevojave e kërkesave të hartuara në bazë. “Pra, do të zhvillohen në të 36 rrethet do të ketë seminare dhe konferenca, për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Dhe sigurisht, që këto aktivitete do të jenë të regjistruar në Qendrën e Edukimit të Vazhdueshëm”, shton Skënderi.
Masat disiplinore për shkeljet
- Komisioni disiplinor mund të vihet në lëvizje nga një ankesë e paraqitur me shkrim apo me gojë, por ai mund të vihet në lëvizje edhe kryesisht.
- Komisioni disiplinor heton dhe gjykon, në bazë të fakteve dhe provave të administruara, në seancë dëgjimore. Kur vërteton se anëtari ka kryer shkelje të etikës mjekësore, të Kodit Etik-Deontologjik ose ka bërë gabim mjekësor, ai jep masat e mëposhtme:
- Vërejtje me shkrim
- Vërejtje me paralajmërim
- Gjobë nga 1 000 deri në 100 000 lekë
- Propozim për shkarkim nga funksionet drejtuese në institucione shëndetësore;
- Pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Infermierit deri në 3 vjet
- Përjashtim i përkohshëm nga Urdhri i Infermierit për një periudhë deri në 3 vjet.
- Përveç masave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, si masë plotësuese, komisioni ka të drejtë t’u caktojë të ndëshkuarve kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese.
- Masat e mësipërme disiplinore mund të shlyhen, nëse ndaj anëtarit, brenda 1 viti nga data e dhënies së tyre, për rastet e vërejtjeve si dhe brenda 3 vjetëve nga data e dhënies, për rastet e tjera të penaliteteve të përmendura më lart.
Ca jane keto gjoba ,vrejtje ,e te tjera , pacienti vdes apo infektohet dhe keta jane prap ne pune , masat e rrepta e disiplinojne kujdesin ndaj tyre .