Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, organizuan sot tryezën dy-ditore të dialogut të lartë “Për politikat e përfshirjes së komuniteteve Rome dhe Egjyptiane – sfidat e reja të zhvillimit social në Shqipëri”. Në seminar morën pjesë dhe përshëndetën Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, Drejtori i Përgjithshëm i BE-së për Zgjerimin, Christian Danielsson, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, Avokati i Popullit, Igli Totozani, si dhe përfaqësues të komunitetit rom dhe egjyptian e organizata të tjera partnere.
Në fjalën e tij, Ministri i MSR-së, Veliaj, nënvizoi se procesi i hartimit të planit të veprimit duhet të sigurojë pjesëmarrjen aktive të përfituesve të këtyre politikave. Sipas tij, ky proces kërkon ndërtimin e një marrëdhënie të re ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe komunitetit rom dhe egjiptian, për të siguruar zbatimin në praktikë të të gjitha të drejtave të çdo grupi në nevojë.
“Çdo proces, ndërhyrje, planifikim apo analizë duhet të ketë në qendër pjesëmarrjen kuptimplotë të të dyja komuniteteve. Kjo kërkon një avancim dhe një marrëdhënie tjetër, të re, mes institucioneve dhe këtij komuniteti – jo sikur po u bëhet ndonjë nder kur u jepet ndihma ekonomike, apo librat falas, por duke i trajtuar si të barabartë dhe me gjithë potencialin dhe kapacitetin e që zotërojnë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Ministri Veliaj vuri në dukje se duhet bërë më shumë për të pasur të dhëna për numrin e saktë të popullsisë rome dhe egjyptiane në Shqipëri, si dhe statistika të besueshme dhe që rifreskohen vazhdimisht, në lidhje me aksesin e tyre në të gjitha shërbimet. “Kemi nevojë që çdo politikë që hartohet, çdo reformë që ndërmerret, të analizohet me syrin sesi të mos krijojë më tepër pabarazi dhe përjashtim social, pavarësisht qëllimit të mirë,” shtoi Veliaj.
Mandej, ai theksoi se duhet gjetur një përgjigje për pyetjen se cili është mekanizmi që do të siguronte bashkërendim të suksesshëm dhe llogaridhënie në marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor. “Vlerësimi i politikave publike nuk mund të bëhet më duke matur shumatoren e aktivitete të bëra, matricave të realizuara apo raporteve të shkruara. Kjo vlen si për Qeverinë, ashtu edhe për partnerët. Pra, kjo kërkon një qasje që mat progresin dhe suksesin, jo me outputin e makinës burokratike të shtetit, por me impaktin konkret, të matshëm në jetët e njerëzve të komunitetit”, përfundoi Veliaj.
Qëllimi i këtij seminari, që vjen pas atij të zhvilluar në dhjetor të vitit 2011 mbi përfshirjen e komuniteteve Rome dhe Egjyptiane, është të informojë për hapat e ndërmarra deri tani, të diskutojë mbi problemet e hasura në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe të identifikojë zgjidhjet e mundshme.