Klanit argjentinas tek Interi po i vjen fundi, me katër lojtarë legjendarë në prag të largimit. Kapiteni Zaneti, Samuel, Kambiaso dhe Milito nuk do të jenë më pjesë e skuadrës zikaltër në përfundim të këtij sezoni. Janë katër lojtarë që i kanë dhënë shumë Interit, por presidenti Erik Thohir ka vendosur që të mos mbetet më askush falë meritave të kaluara. Koha e mirënjohjes së përjetshme ka marrë fund, edhe pse askush nga tifozët nuk e harron vitin 2010 kur këta lojtarë ishin baza e suksesit të madh në tre fronte. Që atëherë Interi nuk ka fituar më asgjë dhe skuadra po lufton edhe për zonën e Europa League sivjet. Zaneti është 40 vjeç tashmë dhe mund t’i ofrohet një rol drejtuesi, ndërsa 36-vjeçari Samuel është në fundin e kontratës. Interi ia ka gjetur zëvendësuesin, Nemanja Vidiç i Manchester United. Në prag skadence të kontratës është edhe Kambiaso, ndërkohë që Edhe për Militon është gjetur zëvendësuesi, por thjesht në letër, pasi për ta marrë në “San Siro” do të jetë një përpjekje më vete. Trajneri Mazarri nuk dëshiron një sulmues të ri që ka të ardhme të madhe, por një ekspert me përvojë dhe emri që mendon Thohir është Mario Manxhukiç i Bajernit. Kontrata e kroatit skadon më 2016, por ardhja e Levandovskit në Munih mund të sjellë shitjen e 26-vjeçarit.