Investitorët po tërheqin paratë nga tregjet financiare të vendeve në zhvillim me hapin më të shpejtë që nga viti 2011 për shkak të përmirësimit të ekonomisë amerikane dhe europiane.
Sipas të dhënave të EPFR Global, që gjurmon qarkullimin e investimeve, vetëm gjatë javës së u mbyll më 29 Janar nga tregjet në zhvillim janë tërhequr 6.3 miliardë dollarë, ndërsa përgjatë gjithë muajit 12.2 miliardë dollarë. Gjithashtu edhe fondet e bonove në vendet në zhvillim janë përballur me një largim kapitali, me 2.7 miliardë dollarë të dala gjatë javës së kaluar dhe 4.6 miliarë gjatë Janarit.
Indeksi global FTSE ka humbur 3.8% të vlerës gjatë këtij viti, kryesisht për shkak të trazirave të vendeve në zhvillim që u provokuan nga zvogëlimi i sasisë së blerjes së bonove nga Rezerva Federale në SHBA. Gjithashtu kjo lëvizje ka dëmtuar edhe monedhat e vendeve në zhvillim, sidomos në Turqi dhe Afrikën e Jugut. Bankat qendrore në këto vende, morën masa të menjëhershme për të mbrojtur monedhën duke rritur normat e interesit, por efektet nuk kanë qënë të dëshiruarat.