Ish-prokurori Skënder Demiraj, i cili humbi djalin e tij, Arbrin në masakrën me 4 të vrarë ku akuzohet Kostandin Xhuvani, kritikon punën hetimore të Policisë dhe Prokurorisë, për mangësi dhe shkelje procedurale, deri në manipulim provash dhe mosdhënie ndihme ndaj djalit të tij të plagosur rëndë. Demiraj ka dërguar disa letra në formë MEMO në adresë të Prokurorit të Tiranës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Brendshme, ku hedh detaje dhe analizë profesionale për ngjarjen e 4 nëntorit në “Rrugën e Elbasanit”, në lokalin e natës “Ante Grand”. Letrat u kanë mbërritur kryeprokurorit Llalla dhe ministrit Tahiri, ndërsa po kryhen verifikime nëse pretendimet qëndrojnë. Ai ka trajtuar çështje të ndryshme të këqyrjes së vendngjarjes, ndihmës së shpejtë, mbledhjes së provave dhe procesit hetimor, duke ia adresuar institucioneve përkatëse.
Ndihma për të birin
Demiraj akuzon Policinë e Tiranës, se nuk i ka dhënë ndihmën e parë djalit të tij, Arbrit 19-vjeçar, që kishte marrë një plagë në kraharor. Ai pretendon se policia nuk e ka dërguar me kohë në spital, por e ka lënë brenda në makinë, duke pritur autoambulancën. Sipas raportit për ngjarjen, pas krismave ka shkuar një autopatrullë me 2 efektivë, ku njëri ka mbajtur të arrestuar Erald Sidën dhe tjetri ka ndjekur Kostandin Xhuvanin, kurse dërgimi i Demirajt në spital është bërë pas mbërritjes së përforcimeve të tjera, minuta më pas. Në letrën, që i është drejtuar për dijeni edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, ish-prokurori Demiraj pretendon se “policia nuk ka kryer hetimet e plota për ngjarjen”. Ai thotë se përveç neglizhencës për dhënien e ndihmës së parë, Policia nuk ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes apo për të sqaruar mënyrën e vrasjes së djalit të tij.
Shkeljet hetimore dhe provat
Këtë pretendim ish-prokurori Demiraj e ka renditur edhe në letrën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, ku theksohet fakti se “edhe pse dosja ka përfunduar në gjyq, familja e tij nuk është sqaruar se si është vrarë djali i tyre”. Përveç kësaj, ish-prokurori Demiraj pretendon se edhe pistoleta që i është faturuar djalit të tij të vrarë, nuk është e vërtetë. Në letër thuhet, se “për të fshehur apo për të devijuar provat, policia dhe prokuroria i ka faturuar djalit pistoletën, e cila ka qenë e të dyshuarit tjetër Erald Sida”. Skënder Demiraj, është i sigurt se djali i tij nuk mbante dhe nuk kishte pistoletë në momentin e ngjarjes. Gjithashtu, ish-prokuroria ankohet edhe për hetuesit e çështjes, që sipas tij, nuk kanë zbatuar procedurën penale, të marrjes së familjarëve në pyetje për ngjarjen ku mbeti i vrarë Arbër Demiraj.