Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve ka qenë edhe sot në qendër të debateve mes PD dhe PS. Një ditë më parë, kreu i PR, Mediu, dhe kryeministri Rama shkëmbyen replika lidhur me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, ndërsa sot replikat kanë vijuar në distancë nga selia blu dhe ajo rozë.
Në një dalje të saj në mesditë, deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha se po përpiqet t’i mashtrojë ish-të përndjekurit nëpërmjet ristrukturimit të fasadave. Vokshi tha se dëmshpërblimi i parashikuar nga qeveria për këtë shtresë është sa gjysma e parashikuar nga qeveria “Berisha” për vitin e kaluar.
“PD denoncon retorikën boshe dhe qëndrimin cinik e tallës të Ramës ndaj ish të-përndjekurve politikë. Më parë ai duhet t’u kërkojë falje për lidhjet e tij me regjimin që i persekutoi. Ai po përpiqet t’i mashtrojë me lyerje fasadash. Fjalë të bukura po trasta bosh. Ajo që ka rëndësi është dëmshpërblimi dhe ajo që qeveria ka parashikuar është vetëm gjysma e asaj që ne kishim premtuar në 2013-n”, tha Vokshi.
Ndërkohë, në një reagim nga selia e PS, deputeti socialist, Besnik Bare, tha se në tetë vitet e qeverisjes së shkuar, qeveria “Berisha” nuk u dha dot ish-të përndjekurve as një godinë të denjë. Bare theksoi se qeveria e shkuar zgjodhi rrugën e arrogancës ndaj kësaj shtrese.
“8 vjet nuk u ofroi ish-të përndjekurve një mjedis të përshtatshëm por një godinë që më shumë i ngjante një koteci pulash”. Në 8 vjet zvarritje dhe pasiguri krijoi qeveria e djeshme për ish-të përndjekurit”, shtoi Baraj.
Baraj tha se qeveria është duke punuar për dëmshpërblimin e plotë të ish-të përndjekurve politikë. “Buxheti është 18 milion dollarë, më i lartë se në çdo vit paraardhës”, tha ai. / G.S.