Prokuroria e Krimeve të Rënda çon për gjykim ish-badiguardin e familjes Berisha për gjobëvënien 100 mijë USD ndaj biznesmenit shqiptaro-maqedonas shtatorin e vitit të kaluar, së bashku me autorin e dytë të pandehur. Fatos Skeja, 39 vjeç dhe Gojart Loci, 34 vjeç, të dy me masë arresti në burg pas arrestimit në muajin dhjetor, janë të akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes, ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim. Ndërkohë që po hetohet edhe për një person të tretë të paidentifikuar ende po si bashkëpunëtor. Gjoba u vendos ndaj biznesmenit Ramazan Hima, nga Kalaja e Dodës, banues në Paskuqan dhe me aktivitet njëkohësisht në Filadelfia të SHBA-ve, njëkohësisht djali i hallës i të dyshuarit Skeja. Ndaj Himës u vëndos një herë eksploziv në vilën e tij në Paskuqan dhe më pas një letër me fishek dhe gjoba përkatëse.
Gjobëvënia
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, historia zë fill më 7 shtator 2013, kur biznesmeni Hima denoncon se nëpërmjet mesazheve telefonike i është kërkuar të dorëzojë në një vend të caktuar shumën prej 100 mijë dollarësh. Pas kallëzimit është autorizuar përgjimi i këtyre numrave celular, edhe me vendim gjykate. Hetuesit kanë organizuar planin duke autorizuar Himën t’u kthente përgjigje se dispononte vetëm 30 mijë USD. Të dyshuarit ranë dakord për shumën dhe kërkuan afatin kohor se kur mund të dorëzohej dhe biznesmeni ka kërkuar 3 ditë kohë për të gjetur valutën e kërkuar. U caktua data 15 shtator për dorëzimin e parave, kurse vendi do të caktohej më vonë. Në ditën e dorëzimit prokuroria ka organizuar operacionin me përgjime dhe survejime.
Aksioni
Operacioni u krye pranë ndërtesës së Komunës Dajt, ku autorët e dyshuar me një automjet “Mercedes Benz”, të shoqëruar edhe nga një motor ‘papaq’, janë afruar për të marrë paratë që u lanë në një kazan plehrash. Pasi hodhi paratë në kazan me çantën e bardhë të kartonit, Hima dhe agjenti që e shoqëronte janë larguar në drejtim të Tiranës. Pas 10 minutash është shfaqur makina “Benz” që më vonë rezultoi në pronësi të Prokurorit të Shkodrës. Brenda u panë 2 persona, mjeti ngadalësoi te kazani, eci për 400 metra dhe u kthye pas. Në distancë 50 metra iu bë shenjë personit me motor edhe ai u afrua aq sa pasagjeri nga vetura i kërkoi t’i merrte dy herë:”Merri, merri!”. Më tej morën rrugën drejt Dajtit dhe motori i ka ndjekur nga pas me qese në dorë. Në këtë moment një furgon policie u ka prerë rrugën, por dy të dyshuarit godasin makinën e policisë dhe arratisen po drejt Dajtit. Kurse personi me motor ka marrë rrugën drejt Tiranës. Por rrugën ia kanë zënë punonjës të policisë dhe ndërsa i ka rënë kapela, ka flakur edhe çantën me lekë. Po kështu vepruan dy të dyshuarit e tjerë, duke braktisur makinën në rrugë dhe u larguan në këmbë. Janë bërë këqyrje dhe gjetur në mjet shenja gishtash dhe fije flokësh. Vetura me targa të rregullta ishte në pronësi të Sh. Hoxhës, por e kishte në përdorim me kontratë prokurori i Shkodrës Xhevahir Lita, që deklaroi se mesditën e 15 shtatorit ia kishte lënë në përdorim Fatos Skejës, në atë kohë truprojë e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pjesë e Gardës. Prokurori ka thënë se kishte vetëm një çelës të makinës, të cilin nipi i Skejës i ka thënë t’ia dorëzonte më 16 shtator, por Lita i është përgjigjur se duhet ta dorëzonte në prokurori.
Gjurmët
“Nga këqyrja e mjetit rezultuan gjurmë papilare dhe pëllëmbësh të vlefshme për identifikim, plotë 5 të tilla dhe më tej 10 të tjera papilare. Një prej gjurmëve është e Gojart Locit dhe gjithashtu fije floku edhe në kapelën e rënë gjatë aksionit”, thuhet në dosje. Kur Loci ka mohuar lëvizjen në makinë, është ballafaquar me provat përkatëse. Të gjitha akt-ekspertimet përputhen me të dhënat biologjike të të dyshuarit. Gjithashtu Fatos Skeja ka dëshmuar se ka qenë në Tiranë, por vendndodhja gjatë kohës së mesazhit së gjobëvënies ka rezultuar në Linzë, ku u bë edhe aksioni. Ndërsa në lidhje me veturën, është zbuluar edhe një tjetër fakt, se targat që i ishin vendosur i përkisnin një makine të importuar nga shtetasja E. M. Kjo e fundit ka dëshmuar se makinën me këto targa ia ka shitur pikërisht Zoje Skejës, bashkëshortes të të pandehurit Fatos Skeja. Sipas prokurorisë, pasi ka marrë makinën e prokurorit, Skeja i ka vendosur sipër targat e makinës së gruas së tij.
Shoqërimi i Fatos Skejës dhe arrestimi tre muaj më pas
Fatos Skeja u shoqërua në policinë e Tiranës për herë të parë më 16 shtator dhe më pas në Prokurori më 17 shtator për të dhënë dëshmi. U la për hetim në gjendje të lirë, pasi provat nuk ishin siguruar ende shkencërisht. Por menjëherë sapo u provua se targat në “Benz” i përkisnin makinës së bashkëshortes së Skejës dhe makina prokurorit të Shkodrës, nga ballafaqimi i dëshmive dhe sigurimi i kontratave të shitjes, bashkë me tabulatet telefonike, është bërë kërkesa për urdhër-arrestimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Menjëherë u krye në dhjetor arrestimi i Fatos Skejës dhe Gojart Locit për akuzën e gjobëvënies. Më tej në masën e sigurisë në gjykatë, të dy mohuan akuzat, por u lanë “arrest në burg”. Skeja ka qenë i akuzuar edhe për çështjen e 21 janarit nga dy vëllezërit e të vrarit në protestë, Hekuran Deda, se ka tentuar t’u blejë gjakun me para kundrejt kafes së ngushëllimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjithashtu Skeja ka qenë i akuzuar për plagosjen një kamerieri në ish-Bllok katër vite më parë. U lirua nga Garda në muajin nëntor të vitit të kaluar për shkelje të rënda në detyrë dhe ka bërë padi në gjykatë.
ne burg te gjithe zagaret e saliut te kalben sa ti radha dhe atije qeni,.