Presidenti italian i ngarkon detyrën e formimit të qeverisë së re Pier Luixhi Bersanit. Presidenti Xhorxho Napolitano i dha mundësinë e drejtimit të një qeverie të re liderit të së majtës pas disa orë konsultimesh me krerët e forcave kryesore politike të dala nga zgjedhjet e disa javëve më parë. Partia Demokrate e Bersanit, një parti me orientim të majtë, mori shumicën absolute në Dhomën e Përfaqësuesve, por jo në Senat.
Bersani tha për mediat se pavarësisht vështirësive, është i gatshëm të nisë punën për rimëkëmbjen e vendit. “Shpresoj të vazhdoj me reforma sociale për rimëkëmbjen e vendit për të hequr nga recesioni Italinë”, tha ai. Ndërkohë, pritet që Bersani të nisë negociatat për formimin e koalicionit qeverisës. Duket se mundësitë më të mëdha për bashkëpunim janë me partinë e Berluskonit, pasi Lëvizja 5 yjet nuk është shprehur e hapur për pjesëmarrje në koalicion.