Matteo Renzi pranoi nga presidenti italian, Giorgio Napolitano, detyrën për të formuar qeverinë e re me rezerva, por deklaroi se “do të angazhohet maksimalisht ”. Nga e marta do të nisë konsultimet me partitë
Kreu i shtetit italian, Gorgio Napolitano, priti të hënën në rezidencën presidenciale kryetarin e Partisë Demokratike, Matteo Renzi për t’i dorëzuar detyrën e formimit të qeverisë së re. Renzi, deri dje kryebashkiak i Firenzes, pas takimit me Napolitanon foli me gazetarët: “Sapo mora detyrën për të formuar qeverinë e re. E pranova me rezervë për shkak të rëndësisë dhe domethënies që ka kjo sfidë”, u shpreh ai, ndërsa ishte dukshëm i emocionuar. “Synoj 2018-n. Angazhimi im është për një horizont natyral të legjislaturës”. Kryetari i PD-së do të marrë disa ditë kohë për të përkufizuar programin qeverisës dhe skuadrën që do të drejtojë.
Platformë për të cilën Renzi ka menduar për një kohë paraprake zhvillimi: “brenda shkurtit nevojitet një punë urgjente me reformat kushtetuese dhe elektorale, në mars do të merremi me punësimin i cili do të jetë edhe ‘prioriteti kryesor’, në prill reformat e administratës publike dhe në maj taksat”. Rruga e liderit të Pd-së është në zbritje dhe ja ku dalin pengesat e para: duke nisur që nga traktativat e vështira me Angelino Alfanon.
Ndërkohë Renzi do t’i duhet t’i japë lamtumirën postit të kreut të bashkisë në Firenze. Sot ai u takua me kryetarët e parlamentit, Laura Boldrinin që drejton Dhomën e Ulët dhe Piero Grasso, Senatin. Më pas, vizitoi Firenzen dhe zhvilloi mbledhjen e fundit si drejtues i këtij qyteti. “Mendja dhe zemra janë të projektuara tani te qeveria. Do të punojmë shumë seriozisht mbi përmbajtjen e platformës dhe në ditët në vijim do ta përkufizojmë atë me aletatët”.
Është i vetëdijshëm se formimi i grupit qeveritar nuk do të jetë një gjë e thjesht dhe i pari në listën e pengesave është pikërisht Angelino Alfano, zv/kryeministër i deritanishëm dhe kryetar i partisë së re NCD, e formuar pas shkëputjes së tij nga Pdl e Berlusconit. Renzi dhe Alfano janë në kontakt prej ditësh. Alfano e di që forca e tij politike është vendimtare për lindjen e qeverisë së re. Pa pjesëmarrjen e saj, Renzi do të duhej të negocionte me Forca Italian e Berlusconit, opsion që PD e ka hedhur poshtë prerazi. Në pamundësinë për të formuar qeverinë e re, Italia do të duhej t’i drejtohej për të dytin vit rresht zgjedhjeve, një kosto tepër e madhe për t’u përballuar.
Nuk do të ketë ndryshime domethënëse në mazhorancën që do të mbështesë qeverinë Renzi:NCD, “Për Italinë”, si dhe disa parti të vogla që bëjnë pjesë në koalicion e kanë mbështetur atë, duke pasur parasysh edhe deklaratat e liderëve të këtyre partive. Me përjashtim të ndonjë surprize të papritur, qeveria e re nuk do të marrë votëbesimin e Lëvizjes 5 Yjet (M5S), Të Legës së Veriut (Lega Nord) dhe SEL.
Emërimi i Matteo Renzit vjen pas dorëheqjes së Enrico Letta-s dhe konsultimeve me presidentin e republikës të përfunduara të shtunën në mbrëmje. Kryesia e Partisë Demokratike pas një ballafaqimi Renzi-Letta, kishte aprovuar me 13 shkurt një dokument ku falënderonte Enrico Letta-n për punën e kryer në qeveri dhe i kërkonte atij “një fazë të re me një ekzekutiv të ri”./ D.Gjuzi
Je film i pare ketej nga ne o zoteri. Njelloj si Edi RAMA je edhe ti, nga ata te OJQ-ve per mbrojtjen e te drejtave te b..
Tani fjalen e ka nje tjeter Rrenc italian……