Shfrytëzoi të fejuarën polake për prostitucion, arrestohet i dyshuari shqiptar. Kjo është akuza pse i riu emigrant u vu dje në pranga nga karabinierët. M. A., 20 vjeç, akuzohet se ka ndihmuar dhe shtyrë të punojë si prostitutë të fejuarën e tij. Karabinierët e kanë identifikuar 20-vjeçarin shqiptar me inicialet M. A., i cili ka prostituuar një vajzë po 20-vjeçare nga Polonia. Arrestimi është bërë në Faenza të rajonit të Ravenës, në kuadër të një aksioni për ndalimin e fenomenit të prostitucionit në autostradën Emilia, tepër e njohur për këtë dukuri kriminale. Policia kishte identifikuar shqiptarin pasi në mënyrë të vazhdueshme shoqëronte 20-vjeçaren polake në vendin e “punës”. I riu ishte i njohur për policinë pasi kohët e fundit ishte përgjegjës i një plagosjeje serioze dhe një grabitjeje të ndodhur në Riolo Terme. Për këtë ai është dënuar me 11 muaj burg dhe me një gjobë prej 150 euro. Sipas policisë, shqiptari përveçse e shtynte të punonte si prostitutë në rrugë, kishte dhe lidhje romantike me vajzën polake. Ndaj të dyshuarit u ngrit akuza për shfrytëzim prostitucioni.