Italia mbetet pezull mes formimit të një qeverie të re dhe përsëritjes së zgjedhjeve. Rreth 200 000 vota më shumë i kanë garantuar Bersanit të së majtës maxhorancën në Dhomën e Deputetëve, por gara për Senatin i ngjan një makine pa shofer. Situata e krijuar ka shqetësuar kreun e shtetit, ndërsa në PD po flitet për mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve.
Presidenti Xhorxho Napolitano duket i vendosur për të ushtruar detyrën e tij institucionale: atë të gjetjes së një rruge për të formuar qeverinë e re. Ai do të verifikojë mundësinë e ndonjë maxhorance në Senat e më pas të provojë që përmes ndonjë marrëveshjeje të mundshme me parti të tjera të mund të caktojë një kryeministër të ri.
Por ndërsa në PD ka figura që janë shprehur hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Bepe Grilo i Lëvizjes 5 Yjet nuk ofron asnjë mundësi bashkëpunimi. “Berluskoni dhe Bersani janë të dy të dështuar”, vjen përgjigja nga kampi i Grilos.
Ndërkohë, nga Populli i Lirisë, partia e Silvio Berluskonit, vjen gatishmëria për të përsëritur lëvizjen e vitit 2006. Ata thonë se janë të hapur për një qeveri të unitetit kombëtar, që ka reformat në plan të parë të saj.
Por ndërsa sirenat e Berluskonit kanë nisur këngën, ish-kryeministri Mario Monti thotë se duhet patjetër që vendit t’i jepet një qeveri e re.
Ndërkohë, frika e një skenari të ngjashëm me atë të Greqisë ka tronditur tregjet europiane.