Nëse Shqipëria ka bërë bujë të premten e kaluar, duke fituar 1-0 në Oslo me Norvegjinë, një pjesë të meritës e ka edhe Italia. Kështu pretendohet të paktën nga siti i specializuar i merkatos së futbollistëve, TuttoMercatoWeb, i cili i ka kushtuar një artikull të gjatë suksesit të kuqezinjve. Deri diku kuptohet lidhja që bëhet me trajnerin Xhani De Biazi, italiani që drejton skuadrën kuqezi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij nga përtej Adriatikut, por jo vetëm kaq. Brenda kombëtares shqiptare është edhe një grup “italianësh”, formuar nga futbollistët që luajnë në kampionatin e fqinjit perëndimor. “Nëse dikur askush nuk largohej nga vendi, në grumbullimin e fundit ka pasur vetëm katër lojtarë që luajnë në Shqipëri. Të tjerët luajnë kudo: Itali, Greqi, Gjermani, Spanjë e madje deri në Kinë e Azerbajxhan. Shumë prej tyre i njohim: Bogdani, Çani, Basha, Ujkani, Cana, Hysaj. E jona është kolonia më e rëndësishme dhe është e qartë që Seria A ka qenë një palestër e rëndësishme”, shkruan TMW. Më tej, përmendet fakti që trajneri italian nuk e ka për herë të parë bërjen e mrekullive. “Reston e ka bërë De Biazi, i cili një mrekulli e ka bërë më parë, kur brenda dy vjetëve e çoi Modenën në Serinë A, duke siguruar edhe mbijetesën atje. Mrekullia e dytë është tani, në Tiranë. Kalendari i kualifikueseve i dhuron përballjet direkt me Norvegjinë e Zvicrën në shtëpi dhe në transfertë me Slloveninë, Islandën e Qipron. Objektivi i vendit të dytë është real dhe sido që të shkojë, do të jetë një sukses”.