Shkon drejt mbylljes procesi gjyqësor në ngarkim të dy nipërve të biznesmenit Arben Frroku, i cili akuzohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Prokuroria ka lexuar dje pretencën në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës, ndaj të pandehurve Ndue dhe Jak Jaku, të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje lëndësh narkotike. Gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të arrestuarit, ndërsa dje u kërkuan nga 12 vite burgim për secilin, por përfitojnë uljen e dënimit me një të tretat si pasojë e gjykimit të shkurtuar.
Policia e Kombinatit, më 25 shkurt 2013, një ditë pas ekzekutimit të komisarit te “Vasil Shanto”, ka marrë informacion se në shtëpinë e Jak Jaku dhe Ndue Jaku, kishte lëndë narkotike dhe armë zjarri. Gjatë kontrollit janë gjetur në sirtarin e një bufeje në sallon 5 qese farmaceutike të mbushura me hashash, një çantë me 8 qese farmaceutike me hashash. Në një sirtar tjetër u gjetën disa qese me kokainë dhe brenda lavatriçes qese me heroinë dhe një kavanoz me kokainë. Po kështu në një prej dhomave u gjet një armë gjahu, kurse në një gropë në oborr, pistoleta e markës “Bereta”, një silenciator, snajper i markës “SIGSAVEER”, 2 automatikë “Kallashnikov”, një çifte tjetër, tre krehra, 8 krehra me fishekë të ndryshëm, një shënjestër optike, dy peshore elektronike. Në total nga peshimi rezultuan 529 gramë heroinë, 396 gramë kokainë dhe 37 gramë hashash.
Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për sasi të mëdha droge dhe armatimi dhe vepra penale është në bashkëpunim nga dy vëllezërit Jaku. Pala mbrojtëse ka pretenduar se mbajtësi është vetëm Ndue Jaku. Por organi i akuzës argumentoi se si armatimi ashtu edhe lënda narkotike, u gjetën në ambientet ku jetonin të dy vëllezërit Jaku, që ishin në dijeni të tyre.
Pasi lexoi dje konkluzionet finale të materialit hetimor në një proces gjyqësor me gjykim të shkurtuar, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor në pretencë të Jak Jakut dhe dënimin e tij me 12 vite burgim, si dhe të Ndue Jakut, e dënimin e tij po me 12 vjet heqje lirie, për dy akuza. Por të dy vëllezërit përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar uljen e dënimit me një të tretat, që përllogaritet rreth pak më shumë se 8 vite burgim për secilin, ose në total rreth 17 vite heqje lirie.
Ndërkohë që në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur procesi gjyqësor edhe ndaj dajës së vëllezërve Jaku, biznesmenit Arben Frroku, i cili akuzohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013 në Tiranë. Ai u kap në Selanik të Greqisë dy ditë më pas, në një hotel, bashkë me nipin Jak Jaku, ndërsa u ekstradua më pas. Frroku s’i ka pranuar asnjëherë akuzat, duke dhënë si alibi vendndodhjen në Elbasan në momentin e ngjarjes.
Qa thuuuuuaaaa ???
Mos u merzisni quna ,se ne 2017 ju bejme deputet familjarisht .
Biles ,duhet ta rregulloni biografine dhe me ndonje vrasje ,se keshtu kuadri plotesohet ne menyre perfekte ….eh ,jo per gje po s’duhet te mburreni me vrasjet e dajave …duhet shembulli personal .